Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në Costa del Sol, një rajon në jug të Spanjës pasi shirat e fuqishme kanë nisur të shkaktojnë përmbytje. Meteorologët janë shprehur se Malaga dhe verilindja e rajonit të Katalonjës janë në alarm për shira të fuqishme që pritet të zgjasin deri të premten.
Zona e Malagës, duke përfshirë resortet turistike të Marbejas, Velezit dhe Esteponës, pritet të goditen më fort nga fenomeni ekstrem i motit i njohur si “Dana”.
Siç raportojnë mediat, zonat më të populluara të qytetit janë boshatisur si pasojë e ujit që ka mbushur rrugët. Rreth 3 mijë personave që jetojnë pranë lumit Guadalhorce, u është thënë të largohen nga shtëpitë.
“Nuk kemi evakuuar të gjitha fshatrat, por zona specifike që lidhen me shtratin e lumit. Ky vendim i është komunikuar qeverisë së Spanjës në mënyrë që të kemi bashkëpunim nga forcat shtetërore të sigurisë”, tha Antonio Sanz, ministër i qeverisë rajonale.