Fushata në SHBA është intensifikuar ditëve të fundit, teksa kanë mbetur më pak se dy javë deri në ditën e zgjedhjeve.
Zëvendëspresidentja Harris, ka deklaruar së fundmi gjatë një ngjarje televizive se beson që Trumpi është “fashist”.
“Po, besoj. Unë gjithashtu besoj se njerëzit që e njohin më mirë atë në këtë temë duhet t’u besohet përsëri”, ka thënë Harris.
Vlerësimi i Harrisit për Donald Trumpin si një “fashist” e ka bazën te deklarata e John Kellyt, i cili ka shërbyer si shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë, dhe i cili së fundmi e ka quajtur ish-shefin e tij “një fashist”.
Në një intervistë për New York Times, Kelly ka thënë se Trumpi plotëson “përkufizimin e përgjithshëm të një fashisti”, pasi sipas tij, Trumpi kishte deklaruar më shumë se një herë se “Hitleri bëri disa gjëra të mira”.
Gjenerali Mark Milley, i cili shërbeu nën presidencën e Trumpit si kryetar i Shtabit të Përbashkët, ka bërë më parë akuza të ngjashme, duke e quajtur Trumpin “fashist deri në thelb”.
Harris ka thënë po ashtu se Trumpi dëshiron “pushtet të pakontrolluar”, teksa i është referuar komenteve të ish-shefit të stafit të tij sa ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Kandidati republikan, Donald Trump i është përgjigjur deklaratave të Harrisit, duke thënë se ajo ka “mendje të deformuar” dhe se është “kërcënim për demokracinë”.
Sipas sondazhit të fundit të Reuters/Ipsos, Harris kryeson me tri pikë të përqindjes në raport me Trumpin.
Në sondazh thuhet se Harris ka marrë 46% të mbështetjes në mesin e votuesve të mundshëm, ndërkaq Trumpi ka marrë 43% të mbështetjes.
Megjithatë, Trumpi vazhdon të konsiderohet nga votuesit si i duhuri për ringjalljen e ekonomisë amerikane, që shihet si problemi kryesor nga qytetarët aktualisht. Ai po ashtu shihet si i duhuri për emigracionin.
Ndërkaq Harris konsiderohet personi i duhur për ta luftuar ekstremizmin politik, për mbrojtjen e demokracisë, për abortin dhe politikat e kujdesit shëndetësor.