Nga Richard E.Caroll
Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar shumë tendosje në ekonominë ruse, pavarësisht rritjes së PBB-së së Rusisë. Ndërsa ekonomia ruse e orientuar nga lufta, e ka rritur PBB-në e saj në mbi 2 trilion dollarë, norma e saj e inflacionit është duke u luhatur në nivelin 8.6 për qind.
Lufta në Ukrainë po e rrit shkallën e inflacionit, sepse fabrikat e armëve dhe municioneve po punojnë ditë e natë dhe po konkurrojnë gjithnjë e më shumë me sektorët e tjerë të ekonomisë ruse për fuqinë punëtore. Për pasojë, ka një presion në rritje mbi pagat dhe çmimet e lëndëve të para.
Dhe kjo po çon në një rritje të qëndrueshme të inflacionit, i cili nuk po tregon shenja ulje. Në këtë rast mund të jetë i dobishëm përdorimi i asaj që ekonomistët e quajnë Kurba Filips për një analizë afatshkurtër të ekonomisë ruse. Kurba Filips, është një teori ekonomike, që pretendon se inflacioni dhe papunësia kanë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të anasjelltë.
I zhvilluar nga ekonomisti Uilliam Filips, kjo teori pretendon se me rritjen ekonomike vjen inflacioni, i cili nga ana tjetër duhet të çojë në më shumë vende pune dhe më pak papunësi.
Për momentin, ekonomia ruse tregon disa ngjashmëri me ekonominë amerikane kur Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira në Luftën e Vietnamit në vitet 1970. Të dyja ekonomitë ishin kthyer në ekonomi lufte, dhe që të dyja po shfaqnin shenja të rritjes së shpejtë inflacionit, me kërkesën që drejtohej nga prodhimi i mallrave që synohen të shkatërrohen, në vend të mallrave që ndihmojnë në krijimin e pasurisë.
Duhet të theksohet se fondi sovran i pasurisë ruse, Fondi Kombëtar i Pasurisë, është përdorur për të ndihmuar në financimin e luftës në Ukrainë. Në vitin 2022 ky fond kishte 210 miliardë dollarë. Në fillim të këtij viti ishte vetëm 130 miliardë dollarë.
Ndërkohë situata demografike ruse është e keqe, dhe po përkeqësohet më tej. Sipas Institutit të Bankës së Finlandës për Ekonomitë në Zhvillim, BOFIT, popullsia ruse është zvogëluar vazhdimisht që nga viti 2000. Vetëm 1.27 milionë foshnja lindën në vitin 2023, teksa pati 1.71 milionë vdekje.
Pra mbi 444.000 vdekje më shumë se lindjet. Grupmosha e të rinjve, 25 deri në 30 vjeç, është 5 milionë më pak se 10 vjet më parë. Vlen të përmendet se rusët që u larguan nga Rusia në fillim të luftës në Ukrainë, janë arsimuar në fushat e IT, pra një ikje e konsiderueshme e trurit kur Rusia kishte nevojë për të gjithë.
Mbi 300.000 të rinj të moshës për të shërbyer në ushtri janë larguar tashmë nga Rusia. Në të njëjtën kohë, të moshuarit përbëjnë tani 24 për qind të popullsisë ruse. Në vitet 2040 kjo do të shkojë në 27 për qind. Ndërsa ka pasur një fluks të punëtorëve emigrantë nga Azia Qendrore, kjo është kufizuar ndjeshëm për shkak të akteve të terrorizmit në Rusi nga ky këto popullata.
Kur Perandoria Ruse filloi të zgjerohej drejt lindjes, ajo filloi të kishte fërkime kufitare me Kinën. Zgjerimi rus në lindje arriti në lumin Amur. Kina, asokohe e sunduar nga Perandoria Manchu, reagoi me forcë ushtarake dhe e detyroi Rusinë të nënshkruante Traktatin e Nerchinsk në vitin 1689.
Në atë kohë, ushtria kineze kishte një forcën ushtarake superiore. Me nënshkrimin e traktatit Rusia humbi qasjen në Detin e Okhotsk dhe tregjet e Lindjes së Largët. Ndikimi i Rusisë u shty në pjesën perëndimore të liqenit Baikal. Ky traktat do të zgjaste deri në vitin 1858. Ndërsa Kina ishte shumë e përfshirë në shuarjen e rebelimit të Taipingut, gjenerali rus Nikolai Muraviev përfitoi nga kjo situatë.
Muraviev grumbulloi një ushtri në Mongoli dhe Mançuri. Më pas ai kërkoi që Kina të bënte lëshime territoriale dhe dinastia Qing u dorëzua. Rezultati ishte Traktati i Aigun. Rusët fituan të gjithë Siberinë, teksa kufiri politik midis Rusisë dhe Kinës arriti në lumin Amur.
Traktati i Aigun, konsiderohet nga Pekini si jetë një nga “traktatet e pabarabarta”. Mao Ce Duni vuri në dyshim ligjshmërinë e tij, por e pranoi se nuk kishte asnjë shpresë për ta rimarrë territorin e humbur. Sot rrethanat kanë ndryshuar. Aktualisht Kina është tërësisht e varur nga nafta e importuar dhe përdorimi i rrugëve oqeanike.
Ironikisht është marina e Shteteve të Bashkuara, ajo që ia garanton kalimin paqësor në oqeanet e botës. Dhe në rast konflikti, këto rrugë tregtare oqeanike nuk do të ishin të hapura dhe të lira. Në këtë skenar, Kina do të ketë nevojë për një burim alternativ nafte, dhe toka e humbur nga Kina me Traktatin e Aigun ka rezerva të bollshme të naftës.
Në rastin e një kolapsi të ekonomisë dhe qeverisë ruse, aftësia e Rusisë për të mbrojtur sovranitetin e saj në Siberi do të ishte e papërfillshme, përveç përdorimit të armëve bërthamore. Por është e dyshimtë nëse duke qenë kaq e dobësuar, Rusia do t’i rikthehej përdorimit të armëve të saj bërthamore,
Ky skenar, do të ishte një kërcënim strategjik për Shtetet e Bashkuara, dhe mund të nënkuptojë që Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e saj, të dërgojnë forca ushtarake në Siberi për të parandaluar një ndodhi të tillë. Për këtë ka disa precendentë.
Fushata ushtarake e Archangel u nxit nga Traktati i Brest-Litovsk, që i dha fund përfshirjes së Rusisë në Luftën e Parë Botërore. Fuqitë Aleate ishin të shqetësuara se sasia e madhe e armatimeve në Archangel, që ishin grumbulluar para nënshkrimit të traktatit do të binte në duart e gjermanëve.
Një shqetësim tjetër ishte shpëtimi i Legjionit Çekosllovak, rreth 50.000 ushtarë, që po përpiqeshin të largoheshin nga Rusia dhe të shkonin në llogoret e aleatëve në Evropën Perëndimore. Një çështje shtesë, ishte shpresa që trupat perëndimore të mundnin forcat bolshevike dhe t’i jepnin fund kërcënimit të komunizmit.
Shtetet e Bashkuara morën pjesë në fushatën e Archangel nga 4 shtatori 1918 deri më 2 qershor 1919. Qëllimi fillestar i forcave ushtarake amerikane, ishte të ruanin furnizimet e tyre ushtarake që ishin dërguar në Rusi. Shtetet e Bashkuara nuk donin që ato të binin në duart e gjermanëve. Pasi Lufta Civile në Rusi u intensifikua, edhe trupat amerikane po përfshiheshin në të. Në kushtet kur populli amerikan donte paqen, forcat amerikane u tërhoqën shpejt. Një përpjekje për pushtimin e Siberisë nga Kina sot, do të përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.
Një aneksim i Siberisë, do t’i siguronte Kinës një rrugë tokësore të furnizimit me naftë, dhe që nuk i nënshtrohet ndërhyrjes nga Marina e SHBA-së. Po ashtu, ky veprim do të çimentonte pretendimin e Kinës për të qenë një superfuqi botërore. Ai do të siguronte një afërsi me territorin amerikan, dhe do ta lejonte Pekinin të ushtronte presion ushtarak mbi të.
Për ta parandaluar një zgjerim të Kinës në Siberi, Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se janë të përgatitura të garantojnë sovranitetin e Rusisë me çdo forcë që e gjykon të nevojshme, për të parandaluar përpjekjet e kinezëve për të aneksuar Siberinë. Sado i papëlqyeshëm që mund të jetë një veprim i tillë, veprimet e SHBA-së do të duhet të koordinohen me ato të qeverinë ruse.
Marrë nga “Modern Diplomacy”