Rusia tha se më 18 tetor ka këmbyer 95 ushtarë ukrainas, që ishin mbajtur robër, me numrin e njëjtë të ushtarëve rusë, përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Si rezultat i procesit negociues, 95 ushtarë rusë janë kthyer” nga Ukraina, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Moska bëri të ditur se po ashtu ka dorëzuar 95 ushtarë ukrainas, që ishin të burgosur të luftës. Kievi ende nuk ka konfirmuar këmbimin e të burgosurve.
Në këmbimin paraparak, që ndodhi në shtator, secila palë kishte liruar 103 ushtarë të burgosur.
Më herët gjatë 18 tetorit, Kievi tha se ka pranuar trupat e 501 ushtarëve të vrarë gjatë luftimeve me forcat ruse, kryesisht në lindje të Ukrainës.
Ndërkaq, zyrtarët rusë thanë se kanë pranuar trupat e 89 ushtarëve të vrarë në Ukrainë.