Një tjetër tragjedi është regjistruar në rrugën e migrimit drejt Ishujve Kanarie, ku 83 persona rezultojnë të vdekur ose të zhdukur pas një udhëtimi të rrezikshëm në det.
Anija u lokalizua në mbrëmjen e 2 shtatorit, rreth 120 kilometra në juglindje të Gran Canarias. Një patrullë detare mbërriti pranë saj pas orës 23:00 dhe arriti të shpëtojë 44 persona, të gjithë burra me origjinë nga Afrika Subsahariane.
Tre nga të mbijetuarit, të cilët ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore, u transportuan me helikopter drejt Spitalit Universitar Doctor Negrín në Gran Canaria. Pjesa tjetër e të shpëtuarve u dërgua në portin e Arguineguín, ku morën ndihmë mjekësore nga ekipet shëndetësore dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq.
Sipas Caminando Fronteras, në mesin e personave që ndodheshin në varkë ishin edhe katër gra dhe një foshnjë e porsalindur.
Autoritetet spanjolle po vijojnë verifikimet për identifikimin e viktimave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila vjen në një periudhë të rritjes së presionit emigrator drejt Ishujve Kanarie.
Marrë nga Tgcom24.it