Është rënduar sërish bilanci i tragjedisë hekurudhore në Spanjë, ku numri i viktimave raportohet të ketë arritur në 64, nga 39 që ishte më herët, ndërsa 80 persona kanë mbetur të plagosur. Rreth 50 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me shkaqet e mundshme të aksidentit, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë dy pista kryesore: një defekt në sistemin e sigurisë hekurudhore dhe një gabim të mundshëm njerëzor.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, dyshimet janë përqendruar te sistemi automatik i sinjalizimit LZB, i cili mund të ketë pësuar një defekt, duke bërë që qarkullimi i trenave të kalonte përkohësisht në një regjim alternativ kontrolli.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se disa trena ishin ndaluar për shkak të problemit teknik, ndërsa një tren i kompanisë Iryo kishte mbetur në shina.
Në këto rrethana, një punonjës i qendrës së kontrollit në Atocha dyshohet se i ka dhënë gabimisht autorizim një treni AVE të kompanisë Renfe për të vijuar udhëtimin, ndonëse linja nuk ishte e lirë.
Sipas kësaj piste hetimore, situata mund të ketë çuar në aksidentin e rëndë, gjatë të cilit katër vagonë dolën nga shinat, ndërsa njëri prej tyre përfundoi i përmbysur.
Në momentin e ngjarjes, në dy trenat udhëtonin gjithsej 544 persona. Në trenin AVE të Renfe-s ndodheshin 397 pasagjerë, ndërsa në atë të kompanisë Iryo udhëtonin 146 pasagjerë dhe një foshnjë.
Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa të plagosurit po marrin trajtim në spitalet pranë zonës së aksidentit dhe në Madrid. Në operacionet e evakuimit janë angazhuar edhe helikopterë.
Tragjedia ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e rrjetit hekurudhor spanjoll, pas aksidentit në Adamuz, pranë Kordobës, ku humbën jetën 46 persona.
Ndërkohë, Federata Spanjolle e Futbollit ka njoftuar shtyrjen e 24 ndeshjeve të Kupës së Mbretit, në shenjë solidariteti me viktimat dhe familjet e tyre.
Autoritetet spanjolle po analizojnë funksionimin e sistemeve të sigurisë, komunikimet me qendrën e kontrollit dhe rrethanat që çuan në daljen e vagonëve nga shinat.
Megjithatë, pistat e raportuara deri tani mbeten dyshime paraprake dhe shkaku përfundimtar i aksidentit pritet të përcaktohet nga hetimet teknike.
Marrë nga Diario 16