Një tender me vlerë 41 milionë lekë të vjetra është bërë shkas që Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike në Bashkinë e Tiranës të përfundojë në Komisionin e Prokurimeve Publike. Ankesa është depozituar nga një kompani private e quajtur “Class Ashensor”.
Ajo pretendon se procedura e prokurimit me objekt “Shërbim për riparimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve” përmban një kriter abuziv që diskriminon dhe automatikisht përjashton kompanitë nga gara; kriteri për të pasur një punonjës specialist auditues për kontrollin e cilësisë.
Kompania “Class Ashensor” thotë se vendosja e kërkesës për të qenë pjesë e stafit të operatorit ekonomik ofertues e një punonjësi specialist auditues për kontrollin e cilësisë së shërbimeve është e paargumentuar, pasi nuk përshkruhet se çfarë procesi duhet të kryejë ky specialist dhe çfarë dokumentesh provuese i di duhen kompanisë ofertuese të paraqesë.
Neësbomb.al ka siguruar ankesën e depozituar nga kompania në Komisionin e Prokurimeve Publike, kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë e Tiranës, duke cituar se kriteri është në kundërshtim me Nenin 41 pika 2 të V.K.M. nr.285/2021 të ndryshuar, ku parashikohet se:
“Kërkesat e veçanta të kualifikimit duhet të përfshijnë të gjitha kriteret specifike, në përputhje me nenin 77 të LPP-së. Kriteret duhet të jenë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me aftësinë zbatuese, natyrën dhe vlerën e kontratës. Në çdo rast, autoriteti/enti kontraktor duhet të përcaktojë dokumentet konkrete që duhet të paraqesin operatorët ekonomikë për përmbushjen e këtyre kritereve.”
Gjithashtu, “Class Ashensor” këmbëngul se vendosja e këtij kriteri të paargumentuar, për rrjedhojë të pambështetur teknikisht dhe ligjërisht cënon në mënyrë thelbësore qëllimin dhe parimet e përcaktuara fare qartë në nenet 2 dhe 3 të L.P.P. pasi ky kriter është diskriminues dhe si dhe për vetë faktin që nuk ka asnjë dispozitë apo akt ligjor/nënligjor që të kushtëzojë shërbimin e mirëmbajtjes së ashensorëve me plotësimin e kriterit të specialistit auditues.
“E theksojmë dhe vëmë në dukje se ky kriter është abuziv pasi ne si O.E. kemi kualifikimet e stafit, licencat dhe certifikimet e duhura të standarteve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare për kryerjen/ofrimin e shërbimeve lidhur me a) mirëmbajtjen, b) modernizimin dhe c) instalimin e ashensorëve, si dhe dëshmi të shumta për ofrimin me sukses të këtyre shërbimeve shumë institucioneve publike shtetërore dhe enteve private”, vijon argumentimi i ankesës.
Newsbomb.al raporton se kompania e përfaqësuar nga Enkeledi Groballi ka pasqyruar si shembull ofrimin e shërbimeve, më parë dhe aktualisht, për institucione shtetërore të rëndësisë së veçantë si; Presidenca, Kuvendi, Kryeministria, Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Prokuroritë e rretheve etj etj.
Tenderi në fjalë pritet të zhvillohet sipas publikimeve, më datë 21 Tetor dhe “Class Ashensor” kërkon heqjen e kriterit për të pasur një punonjës specialist auditues për kontrollin e cilësisë, vendosur nga drejtoria në varësi të Bashkisë së Tiranës, nën argumentimin se është abuziv dhe i pambështetur në ligj.
Marrë nga Newsbomb.al