Në kulmin e debateve për zgjedhjen e drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, ku së fundmi është shkarkuar i gjithë zinxhiri i Këshillit Drejtues, drejtoresha e komanduar e këtij televizioni po vijon me “aferat” e radhës.
Të gjitha veprimet po bëhen nën rrogoz, ku po tentohet të prokurohet një vlerë e madhe, vetëm e vetëm që të “kënaqë” klientët apo firmat e saj të preferuara.
Dhe, duke “notuar” në këto ujëra, Polo ka vepruar me dinakëri dhe shpejtësi!
Pra, në prag të largimit, Polo bën tender me afat 4 vjeçar! Madje, me një vlerë shumë të lartë. Më saktësisht, në dokumente shkruhet se fondi limit i gjithë procedurës është 907.816.536 lekë, ose nëse do t’a konvertojmë në euro mbi 9 milionë euro.
“Vlera e parashikuar përfshin shërbimin për periudhën janar-dhjetor 2024. Kjo pagesë bazohet në kontratën për shërbimin e mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes DVBT2, lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së dhe shoqërisë ‘Rohde & Schwarz, në një periudhë 4 vjeçare nga 1 marsi 2021, në vlerën 8.795.962 euro, me vlerë vjetore 2.1 milionë euro, mujore në vlerën 183.250 euro”.
Sipas dokumenteve, buxheti vjetor i Radio Televizionit Shqiptar është plot 28 milionë euro. Një shifër e frikshme për një televizion, por fryrja e kostove të tenderëve, marrja në punë e njerëzve dhe shpenzimet e tjera kanë sjellë këtë buxhet.
Mësohet se, financimi nga buxheti i shtetit për vitin 2024 ka qenë 690 milionë lekë ose 7 milionë euro. 17 milionë euro u mblodhën nga taksa që paguan çdo familje në faturën e dritave. Ndërkohë, ky televizion prodhoi vetëm 331 milionë lekë, ose 3.3 milionë euro.
Sipas listës, në RTSH punojnë plot 976 punonjës, ku janë të ndarë. Më shumë ka Njësia Teknike me 258 punonjës, Drejtoria e Përgjithshme me 210 punonjës dhe vetëm 151 ka njësia e prodhimit. Më pas vjen Njësia e Lajmeve dhe Emisionet Tematike me 11 punonjës, 47 Njësia e Programeve, 65 janë në orkestër, 32 punonjës janë në arkiv e kështu me radhë. Në Shkodër janë 31 punonjës, në Korçë 30, në Gjirokastër 28 dhe në Kukës 23.
Marrë nga VoxNews.al