Kuvendi i Shqipërisë shpalli në mes të kësaj jave thirrjen për aplikime për plotësimin e vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska.
Në njoftimin e kryetares së Parlamentit, Elisa Spiropali, thuhet se “është shpallur procedura për plotësimin e vendit vakant, mandat plotësues, për 1(një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Znj. Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028, referuar Vendimit të Kuvendit nr. 133/2019 “ Për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska, anëtare të Gjykatës Kushtetuese”.
Kjo shpallje, e publikuar në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë në datë 30 Shtator 2024, është mbështetur në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 23 Shtator 2024, në të cilin u vendos njëzëri “deklarimi i mbarimit të mandatit përpara afatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Elsa Toska, në datën 23.9.2024, për shkak të dorëheqjes”.
Deri këtu, të gjitha veprimet e Kuvendit janë korrekte e konformon Kushtetutës dhe akteve të dala në zbatim të saj.
Por, vetëm pak orë pas publikimit të këtij njoftimi parlamentar, në një portal mediatik, i lidhur me një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, u ngrit pretendimi se kryeparlamentarja Spiropali ka shkelur Kushtetutën në caktimin e afatit përfundimtar të gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska, në vitin 2028.
Ky portal mbështeste idenë se mandati i Toskës përfundonte në vitin 2025. Por, ky portal nuk jep asnjë argumentim kushtetues apo ligjor mbi këtë qëndrim, një qëndrim i cili nuk është i qartë nëse është i vetë portalit apo i një ose disa gjyqtarëvë kushtetues që nxisin këtë diskutim.
Faktet tregojnë që qëndrimi i Kuvendit është tërësisht në përputhje me Kushtetutën. Argumentat janë të shumtë.
Së pari, Kushtetuta, në nenin 125, pika 3, thotë: “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi”.
Gjyqtarja e dorëhequr, Elsa Toska, është emëruar në detyrë në vitin 2019 dhe mandati i saj duhej të mbaronte në vitin 2028, siç thuhet edhe në njoftimin e Kuvendit.
Së dyti, Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 62, dt. 23 Shtator 2024 “Për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Elsa Toska për shkak të dorëheqjes”, thotë që në krye të dokumentit se “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 133/2019, datë 11.11.2019, ka vendosur: “Zonja Elsa Toska zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për vakancën e plotë të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.2.2018”.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 163, viti 2024.
Së treti, duke u rikthyer pas në kohë. Në Fletoren Zyrtare nr. 153, viti 2019, është publikuar vendimi nr. 139 i Kuvendit të Shqipërisë, ku është vendosur “Zonja Elsa Toska zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për vakancën e plotë të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.2.2018”.
Këto tre argumenta konfirmojnë se qëndrimi i Parlamentit për “mandat të plotë” për Elsa Toskën është tërësisht në përputhje me Kushtetutën.
Po ashtu, këto tre argumenta bazë janë të mjaftueshëm për të rrëzuar çdo pretendim për anti-kushtetushmëri nga kryeparlamentarja, të ngritur nga ai portal apo nga gjyqtari a gjyqtarët kushtetues që fshihen pas tij.
Pasi argumentat kushtetues janë të qartë, ajo që ngrihet pikëpyetje është fakti se çfarë shqetësimi ka portali, ose cilido tjetër pas tij, për mandatin e zonjës Toska?
Nëse sjellja e Spiropalit për kohë-zgjatjen e mandatit të Elsa Toskës do të ishte anti-kushtetuese, a do të ishte njëlloj kjo shkelje kushtetuese edhe për një tjetër gjyqtare, Fiona Papajorgji, e zgjedhur për një mandat të plotë nga Parlamenti në të njëjtën ditë me gjyqtaren e dorëhequr, në nëntor 2019?
Në fund të ditës, kuptohet që tymnaja e ngritur nga një portal për anti-kushtetutshmëri, nuk ekziston. Por ajo që mund të kuptohet nga ky pretendim i hedhur në mediumin on-line është fakti që mandati i Elsa Toskës po hap orekse të ndryshme, sidomos nga politika, të cilat, me shumë mundësi, do të shfaqen publikisht së shpejti.