Biznesi është kontribuuesi më i madh në ekonomi. Ai gjeneron rreth 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa pjesa tjetër vjen nga administrata publike, taksat dhe subvencionet.
Në më shumë se tri dekada tranzicion, sipërmarrja shqiptare ka kaluar nga ekonomia e mbijetesës te struktura më të konsoliduara, me industri që po maturohen, kompani që po diversifikohen dhe biznese që po kërkojnë tregje edhe jashtë vendit.
Ky është ndoshta treguesi më i qartë se potenciali ekziston. Shumë sipërmarrje shqiptare, kur dalin në tregje të tjera, arrijnë të përshtaten më shpejt dhe të konkurrojnë më mirë, jo sepse jashtë sfidat janë më të pakta, por sepse rregullat e lojës janë më të qarta.
Procedurat janë më të lexueshme, administrata është më e parashikueshme, ligji zbatohet me më pak arbitraritet dhe marrëdhënia me shtetin nuk perceptohet si një betejë e përhershme.
“Telashet” nuk kanë të sosur. Prej muajsh, sipërmarrjet dhe kontabilistët po përballen me bllokime të vazhdueshme të platformave e-Albania dhe SelfCare, duke vështirësuar procese bazë të punës së përditshme, nga faturimi te deklarimet dhe marrja e shërbimeve.
Kur infrastruktura digjitale, që duhet të lehtësojë biznesin, kthehet në burim pasigurie, kostoja nuk është vetëm teknike. Ajo bëhet kosto kohe, paraje dhe besimi.
Por problemet administrative janë vetëm shtresa e parë. Më të rënda janë plagët e vjetra të ekonomisë: konkurrenca e pandershme, informaliteti, korrupsioni, moszbatimi i barabartë i ligjit dhe hyrja e parasë informale në treg. Këto fenomene nuk janë më raste të izoluara. Ato kanë krijuar një mjedis ku biznesi i ndershëm shpesh ndihet më i pambrojturi.
Një kompani që paguan taksat, respekton punonjësit, deklaron pagat reale dhe investon me burime të pastra, përballet me konkurrencë nga aktorë që operojnë me kosto artificialisht më të ulëta, me kapital të dyshimtë ose shpesh me lidhje politike.
Kështu zhbëhen tregjet, ulet produktiviteti, largohen investitorët seriozë dhe humbet besimi se suksesi vjen nga puna, cilësia dhe konkurrenca.
Në këtë realitet, qeveria synon të japë një zgjidhje përmes nismës së fundit të “Paqes fiskale”. Në letër, çdo përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet mes administratës dhe tatimpaguesve mund të tingëllojë pozitive.
Biznesi ka nevojë për qartësi, për mbyllje të konflikteve të vjetra dhe për një fillim të ri. Por një “Paqe fiskale” e ndërtuar mbi një sistem që vazhdon të prodhojë padrejtësi rrezikon të mos jetë zgjidhje, por shtyrje e problemit.
Në vend që të shuajë zjarrin, “paqja” mund t’i hedhë më shumë benzinë. Pa nisur mirë zbatimi, janë shtuar shqetësimet se nisma mund të përdoret për pastrim parash, veçanërisht në sektorë ku qarkullimi i parasë informale ka qenë historikisht i lartë.
Ekspertët fiskalë kanë paralajmëruar se ndërtimi mbetet një sektor potencialisht i ekspozuar, ndërsa kundërshtimet e mëparshme nga FMN dhe Bashkimi Europian kanë ngritur pikërisht alarmin se nisma të tilla mund të kthehen në amnisti të fshehura.
Ironikisht, edhe vetë hartuesit e ligjit kanë pranuar se do të shtohen kontrollet. Kjo është ndoshta prova më e qartë e kontradiktës. Një paqe, që lind bashkë me nevojën për më shumë kontrolle, tregon se besimi mungon që në pikënisje. Nëse sistemi ka frikë se paqja mund të keqpërdoret, atëherë problemi nuk është vetëm te detyrimet e prapambetura, por te rregullat që krijojnë hapësira për abuzim.
Për sa kohë sistemi i taksimit do të mbetet i ndërlikuar, duke lënë hapësira për shmangie dhe evazion fiskal; për sa kohë legjislacioni do të ndryshojë çdo vit dhe biznesi do të detyrohet të përshtatet vazhdimisht me rregulla të reja; për sa kohë paratë informale do të gjejnë rrugë për t’u kanalizuar në ekonomi; konkurrenca nuk do të jetë e barabartë dhe ligji nuk do të zbatohet njësoj për të gjithë, për aq kohë biznesi nuk do të gjejë kurrë paqen e “premtuar”.
Paqja e vërtetë nuk është një marrëveshje e përkohshme me administratën tatimore. Ajo është një kontratë e qëndrueshme mes shtetit dhe sipërmarrjes. Shteti duhet të bëjë atë që i takon: të thjeshtojë sistemin fiskal, të garantojë stabilitet ligjor, të funksionalizojë shërbimet digjitale, të luftojë realisht informalitetin, të ndëshkojë korrupsionin dhe të sigurojë që rregullat e lojës të jenë të njëjta për të gjithë.
Vetëm atëherë biznesi do të ketë paqe. Jo paqen e faljeve, por paqen e sigurisë. Jo paqen e amnistive, por paqen e konkurrencës së ndershme. Jo paqen e përkohshme para zgjedhjeve, por paqen e përditshme që i lejon sipërmarrjes të prodhojë, të punësojë, të investojë dhe të rrisë ekonominë.
Për të mos harruar dëmin moral që shkaktojnë nisma të tilla me falje të vazhdueshme, pasi ato vetëm krijojnë pritshmëri për përsëritje në të ardhmen dhe nuk çojnë domosdoshmërisht në disiplinë më të mirë fiskale dhe transparencë.
Marrë nga Monitor