Investimet nga Kosova në Shqipëri kanë kaluar vlerën e investimeve shqiptare në Kosovë. Statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se në mesin e këtij viti investimet shqiptare në Kosovë kishin vlerën e 678 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i tretë më i madh në Kosovë, pas Gjermanisë dhe Zvicrës.
Investimet shqiptare në Kosovë janë të përqendruara kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshmne, atë financiar dhe në industrinë nxjerrëse.
Megjithatë, pavarësisht kësaj mospërputhjeje në statistikat e publikuara nga dy bankat qendrore, tendenca e rritjes së investimeve nga Kosova në Shqipëri është e dukshme. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve nga Kosova është rritur me afërsisht tetë herë që nga viti 2020.
Ndryshe nga Banka Qendrore e Kosovës, Banka e Shqipërisë nuk publikon statistika të shpërndarjes së investimeve të huaja direkte njëkohësisht sipas shteteve dhe sipas sektorëve.
Megjithatë, vlerësohet se rritja e investimeve nga Kosova është e lidhur me një zgjerim të suksesshëm të disa sipërmarrjeve të rëndësishme, sidomos në sektorin e tregtisë, por edhe në atë mediatik.
Në fillim të këtij viti, shoqëria Vertex Holding finalizoi blerjen e platformës së dytë më të madhe televizive me pagesë në Shqipëri, Tring. Vertex Holding zyrtarisht zotërohet nga shtetasi kosovar Valon Shala, drejtor i përgjithshëm dhe përfaqësues ligjor i Artmotion, operator i shërbimit të internetit dhe IPTV në Kosovë.
Megjithatë, besohet se personi në fjalë përfaqëson interesat e biznesmenit nga Kosova Blerim Devolli, që, ndonëse jo zyrtarisht, kontrollon edhe televizionin ABC News.
Blerim Devolli, nëpërmjet kompanisë së tij DE Holding, është i pranishëm në Shqipëri edhe me rrjetin e dyqaneve të produkteve shtëpiake, Commodita Home.
Në tetor 2025, shoqëria KAN shpk njoftoi blerjen e Global Fast Food Albania, kompanisë që zotëron të drejtën e markës globale të fast food-eve, KFC për Shqipërinë.
KAN, nga ana e saj, zotëronte të drejtat e kësaj marke edhe për Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. KAN është një kompani e regjistruar në Kosovë, me pronar të vetëm biznesmenin Fatmir Zymberi.
Grupi i tij i biznesit është i pranishëm në Shqipëri prej vitesh, nëpërmjet kompanisë Scandinavian Living, që zotëron të drejtën e përdorimit të markës daneze Jysk për Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit (këtë vit, megjithatë, Scandinavian Living njoftoi shitjen e këtyre aktiviteteve te vetë grupi danez Jysk).
Në shtator 2025, kompania me kapital nga Kosova, ALBI Holding finalizoi blerjen e kompanisë së tregtimit të veshjeve, Fashion Group Albania (FGA), nga grupi shqiptar i biznesit Balfin. Vlera e transaksionit të shitblerjes ishte rreth 7.6 milionë euro.
FGA ka për objekt kryesor aktiviteti importin dhe tregtimin e veshjeve dhe këpucëve, nëpërmjet rrjetit të saj të dyqaneve të disa markave ndërkombëtare brenda territorit të Shqipërisë.
Shoqëria blerëse ALBI Holding është pjesë e Albi Group, që zotëron në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut rrjetin e dyqaneve të modës të disa markave ndërkombëtare.
ALBI Holding zotërohet prej disa sipërmarrësve individualë nga Kosova, anëtarë të familjes Humolli.
Në muajin korrik 2025, kompania nga Kosova, Viva Fresh, mbylli blerjen e zinxhirit të dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri, Spar Albania. Sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, operacioni kishte vlerën e 36.4 milionë eurove.
Viva Fresh zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni Xhevdet Rexhepi. Rrjeti është i pranishëm në aktivitetin e shitjeve me pakicë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet markave Viva Fresh Store dhe Super Kit Go.
Pronari i Viva Fresh, Xhevdet Rexhepi, hyri në Shqipëri në vitin 2024, me blerjen e kompanisë me shtrirje rajonale Studio Moderna (Top Shop).
Të tjerë investitorë të rëndësishëm nga Kosova janë të pranishëm në Shqipëri prej vitesh.
Bucaj International është kompania me kapital Kosovar që zotëron franchise për Shqipërinë të markave Burger King dhe Pizza Hut. Bucaj International është në pronësi të kompanisë kosovare Balkan Foods, e zotëruar nga biznesmeni Xhevat Jusufi.
Investitor i rëndësishëm, me kontroll të tërthortë të biznesit Kosovar, është edhe Mabco Construcions, kompania që kontrollon shoqërinë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Mabco Constructions zotërohet nga biznesmeni Kosovar Behgjet Pacolli. Edhe aksioneri tjetër në konsorcium, 2A Group, është kompani ndërtimi nga Kosova, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi.
Ndërkohë, besohet se individët dhe subjektet nga Kosova kanë një peshë të konsiderueshme edhe në blerjen e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare. Megjithatë, për këtë tregues nuk ekzistojnë statistika apo vlerësime të mirëfillta zyrtare.
Marrë nga Monitor