Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi lejen e ndërtimit për projektin Vlora Beach Urban Development.
I vendosur në një kryqëzim midis qytetit të vjetër, Pyllit të Sodës dhe një marine të ndërtuar rishtazi, kompleksi shtrihet në një sipërfaqe prej 20,465 metrash katrorë dhe shton 89,320 metra katrorë ndërtime të reja. Ai është projektuar nga studio Oppenheim.
Sipas Oppenheim, në zemër të projektit është një shëtitore qendrore për këmbësorë që shtrihet nga bulevardi në plazh, e menduar si një shtyllë publike që lidh arkitekturën me peizazhin dhe jetën e përditshme me ritmet më të mëdha të qytetit.
Sipas studios, ky projekt është frymëzuar nga fshatrat shqiptarë, me struktura spontane, të parregullta dhe të formuara nga afërsia sociale, të riimagjinuara këtu përmes një serie nukli, ose blloqesh urbane në shkallë të vogël.
Por shfrytëzimi intensiv i tokës dhe dendësia e madhe e betonit e shndërron lagjen në një geto të ngjashme me favelat braziliane, ndonëse me më shumë ngjyra dhe me më shumë beton.
Ky projekt do të ndërtohet nga kompania Feniks Konstruksion, e cila zotërohet nga Ilir dhe Jaho Shyti. Ky i fundit është denoncuar publikisht nga lideri i opozitës, Sali Berisha, si i përfshirë në aktivitete kriminale dhe i dënuar nga gjykatat italiane.
Marrë nga Kapitali.al