Qeveria ka hedhur në konsultim publik një projektligj që synon të hapë rrugën për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj. Drafti i hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikon për herë të parë mundësinë që të huajt të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, por me kufizime të përcaktuara për sipërfaqen dhe përdorimin e saj.
Sipas relacionit shpjegues, ndryshimet lidhen drejtpërdrejt me harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila parashikon gradualisht zgjerimin e të drejtave të pronësisë për subjektet e huaja. Aktualisht, ligji shqiptar nuk ua njeh të huajve të drejtën e pronësisë mbi tokën bujqësore, por vetëm të drejtën e marrjes me qira deri në 99 vite.
Projektligji parashikon që personat fizikë dhe juridikë të huaj të mund të blejnë deri në 2 hektarë tokë brenda së njëjtës bashki dhe deri në 30 hektarë në nivel kombëtar, një kufizim që cilësohet si mekanizëm “antimonopol” për të shmangur përqendrimin e madh të tokës në pak duar.
Drafti përfshin si tokat bujqësore private, ashtu edhe tokat shtetërore të pandara. Në relacion thuhet se në Shqipëri ekzistojnë rreth 100 mijë hektarë tokë bujqësore e pandarë në administrim të pushtetit vendor, si dhe rreth 25 mijë hektarë “fond disponibël shtetëror”, që aktualisht përdoret kryesisht përmes kontratave të qirasë. Hapja e tregut për shitblerje synon të nxisë investimet në sektorin bujqësor dhe të vërë në shfrytëzim sipërfaqe të konsiderueshme toke që aktualisht nuk përdoren në mënyrë efikase.
Megjithatë, projektligji vendos edhe kufizime të forta. Nuk do të lejohet tjetërsimi i tokës në zona me rëndësi strategjike, ushtarake, arkeologjike, historike, ekologjike apo në prona që janë ende objekt i proceseve të kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve.
Një tjetër kusht është që të huajt ta përdorin tokën vetëm për aktivitet bujqësor ose blegtoral dhe të mos ndryshojnë destinacionin e saj, përveç rasteve kur kjo lejohet me ligj. Drafti parashikon gjithashtu kritere si banimi afatgjatë në Shqipëri, leje të posaçme dhe ushtrim aktiviteti bujqësor për të fituar të drejtën e pronësisë.
Relacioni shpjegues pranon se një nga problematikat kryesore që mund të sjellë projektligji është rreziku i përqendrimit të tokës bujqësore tek investitorët e huaj dhe mungesa e mekanizmave të fortë të kontrollit nga autoritetet vendore. Nga ana tjetër, qeveria argumenton se ligji do të sjellë rritje të investimeve, modernizim të prodhimit bujqësor dhe krijim të vendeve të reja të punës në zonat rurale.
Projektligji parashikon që efektet e tij të fillojnë 7 vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa aktet nënligjore do të duhet të miratohen brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Marrë nga Ekofin.al