Nga ARBEN MALAJ
A do të mundë Inteligjenca Artificiale të zbutë varfërinë sociale, apo për shkak të “analfabetizmit digjital” do të thellojë pabarazinë dhe do të rritë kërcënueshëm varfërinë? Transformimi digjital po promovohet si një paradigmë/ndryshim modeli e suksesit ekonomik. Përfitimet teorike të shërbimeve online përshijnë: rritje e eficiencës, reduktim i kostove operative dhe shërbime që janë të disponueshme me një klikim, 24 orë në ditë.
- Por ky zhvillim i natyrshëm i një ekonomie që kërkon produktivitet të lartë fsheh një realitet të dhimbshëm: një transferim të heshtur dhe masiv të kostove nga ofruesi online te konsumatori përfundimtar.
Kur digjitalizimi pushon së qeni një lehtësi dhe shndërrohet në një imponim të shoqëruar me penalitete, ai minon themelet e barazisë sociale. Zhvendosja e Kostove dhe “Taksa” mbi Analfabetizmin Digjital – Digjitalizimi nuk i ka reduktuar kostot, ai thjesht i ka rialokuar ato.
Në modelin tradicional, kostoja e kryerjes së një transaksioni (si psh., një pagesë bankare apo një check-in bilete) mbulohej kryesisht nga kompania përmes personelit dhe infrastrukturës fizike. Sot, kompanitë po i detyrojnë konsumatorët të marrin përsipër “punën” e operatorit. Konsumatori sot duhet të mbajë mbi supe rrezikun e gabimeve teknike.
Për shtresat e mesme dhe të larta, kjo mund të duket si një shkëmbim i drejtë për komoditetin. Por për shtresat vulnerable dhe analfabetët digjitalë, ky është një “tatim” i ri varfërues. Nëse një pensionist detyrohet të penalizohet përse nuk e ka bërë checkin online, ky nuk është më një stimul për progres, por një ndëshkim financiar për mungesën e njohurive dhe përdorimit të shërbimeve vetëm online.
Kjo politikë dhe strukturë çmimesh përdoret si një mjet shtrëngues për të “dëbuar” klientët nga degët fizike, duke i lënë ata pa asnjë zgjedhje reale. Ky diskriminim është shumëdimensional. Katër janë kategoritë kryesore: (i) Të moshuarit: Në një Evropë dhe Shqipëri që po plaken me shpejtësi, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e ka të vështirë të përshtatet e shërbimet online. Kur shërbimet bazë, si mjekësia, bankat apo aplikimet administrative bëhen ekskluzivisht online, de facto po krijohen “invalidë socialë”. Ata kanë kontribuar gjithë jetën në shoqëri dhe papritur e gjejnë veten të paaftë për të menaxhuar jetën e tyre pa ndihmën e të tretëve. (ii) Shtresat me të ardhura të ulëta: Një familje që lufton për të mbyllur muajin, e ka të vështirë të investojë dhe mësojë shërbimet online. (iii) Zonat Rurale: Hendeku i infrastrukturës mbetet real.
Në shumë zona, lidhja me internetin është e dobët ose mungon, duke i bërë shërbimet online të paaksesueshme në praktikë, ndërkohë që shërbimet fizike janë larguar nga këto zona në emër të eficiencës. (iv) Migrantët dhe Personat me Edukim të Kufizuar: Barrierat gjuhësore dhe vështirësitë në navigimin e sistemeve komplekse ‘e-government’ krijojnë një mur burokratik digjital, që është po aq përjashtues sa muret fizike. Kompanitë ajrore “Low Cost” janë nga shembujt më flagrantë të diskriminimit social. Parimi “Low Cost” është legjitim kur bazohet në reduktimin e kostove reale dhe transferimin e këtij kursimi te konsumatori.
Por kur tarifa për një check-in në aeroport kushton sa gjysma e biletës, kur penalizimi për një valixhe shtesë është sa dyfishi i biletës dhe kur ndryshimi i një të dhëne online penalizohet me gjoba disproporcionale, jemi përpara një praktike abuzive. Këto gjoba nuk reflektojnë koston reale të shërbimit, por janë “kurthe” financiare, që shfrytëzojnë vështirësitë teknike ose harresat njerëzore.
Sipas Direktivës së BE-së për Praktikat e Padrejta Tregtare, çdo tarifë duhet të jetë proporcionale dhe transparente. Por në realitet, arkitektura e faqeve të internetit të këtyre kompanive është e dizajnuar sipas “dark patterns”/modele të errëta – që qëllimisht i shtyjnë konsumatorët drejt gabimeve ose blerjeve të padëshiruara.
Ky është një diskriminim i drejtpërdrejtë mbi dinjitetin e konsumatorit dhe lirinë e zgjedhjeve. (iv) Shqipëria dhe Analfabetizmi Digjital – Në kontekstin e vendit tonë, ky diskriminim merr përmasa akoma më kërcënuese. Niveli i njohurive digjitale i popullsisë sonë mbetet ndër më të ulëtit në rajon dhe Evropë.
“Vetëm 10.1% e grave dhe 8.7% e burrave mund të përdorin formula bazë në fletë-llogaritëse, ndërsa 16.3 % dhe 17.6 % përkatësisht mund të krijojnë prezantime elektronike. Vetëm rreth një në pesë persona mund të transferojnë skedarë midis pajisjeve ose të konfigurojnë programe dhe aplikacione dhe më pak se 5 % kanë përfunduar një kurs online”. Kjo do të thotë se shërbimi publik online, i cili supozohet të jetë falas ose me kosto minimale, bëhet më i shtrenjtë për ata që janë analfabetë digjitalë.
Sa më pak aftësi digjitale të kesh, aq më shumë kushton jeta jote në një sistem të digjitalizuar me forcë. Psh., certifikatat dhe aplikime për pensionet nga shërbim falas, bëhen me lekë nga zyra private me kosto financiare jo të vogël. (v) Pasojat Politike dhe Demokratike -imponimi i shërbimeve online ka pasoja të rënda për demokracinë. Mitizimi i shërbimeve online si mundësia e vetme po krijon “qytetarin e kategorisë së dytë”. Integrimi evropian nuk është vetëm një proces tregtar, por një projekt i kohezionit social. Si mund të reduktohen pasojat e diskriminimit social.
Nuk mund t’ia lëmë në dorë “dorës së padukshme” të tregut përcaktimin e kushteve të aksesit në shërbimet bazë. Nevojitet një qasje e re që përfshin: (i) Garantimi i “Alternativës Fizike”: Diferenca e çmimit midis shërbimit online dhe atij në sportel duhet të reflektojë vetëm koston reale marxhinale dhe jo të shërbejë si gjobë. (ii) Parimi i Proporcionalitetit të Penaliteteve: Gjobat e larta për mungesë të check-in-it online apo për gabime në aplikime duhet të ndalohen me ligj, nëse ato tejkalojnë një përqindje të caktuar të kostos bazë të shërbimit. (iii) Vlerësimi i Ndikimit Social: Çdo reformë digjitalizimi në sektorin publik duhet të paraprihet nga një studim mbi ndikimin te shtresat vulnerabël. Nuk mund të mbyllen sportelet përpara se të garantohet se 100% e popullatës mund t’i përdore ato. (iv) Investimi të hershëm në edukimin digjital.
Qeveria duhet të investojnë masivisht në edukimin digjital të cdo shtrese sociale. Digjitalizimi pa edukim është thjesht një formë e re e analfabetizmit varfërues.(v) Mbrojtja e Konsumatorit: Rregulloret duhet të bëhen më strikte kundrejt dizajneve të aplikacioneve që manipulojnë konsumatorin për të zgjedhur opsione me pagesë ose për të rënë në gabime tarifore. Teknologjia duhet të jetë një urë, jo një mur.
Digjitalizimi ka dobishmëri publike vetëm kur ai rrit mirëqenien e përgjithshme dhe jo kur shërben si një mekanizëm për të nxjerrë përfitime nga dobësitë sociale të individëve. BE dhe vendi ynë duhet të sigurojnë se eficienca ekonomike nuk mund të blihet me çmimin e përjashtimit social. Inovacioni që prodhon varfëri dhe diskriminim nuk është progres, është regres i veshur me petkun e modernitetit. Lufta kundër diskriminimit nuk është vetëm një standard etik, por një detyrim juridik dhe politik për çdo shtet që synon konsolidimin e demokracisë dhe integrimin europian.
Marrë nga Kapitali.al