Një pallat 14-katësh pritet të ngrihet në kryqëzimin e rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Ismail Qemali” në ish-Bllok duke vijuar tjetërsimin urban të hapësirave të kësaj zone.
Kulla parashikon 5 kate parking nëntokë dhe dy katet e fundit apartament të tipit “attic-duplex”. Projekti ka marrë lejen e zhvillimit në tetor të vitit 2023 dhe pritet të kalojë për leje ndërtimi.
Porositës dhe zhvillues paraqitet kompania “Domus Group” e Adrian Hajros, i cili me profesion është arkitekt.
“Domus Group” po zhvillon në krahun tjetër të së njëjtit kryqëzim “binjakun” e “Cube of Blloku” – godinë 10-katëshe e projektuar gjithashtu nga Boeri, – që quhet “Domus Cube”.
Versioni i parë i “Cube of Blloku” u zhvillua në periudhën 2017-2023 nga “Invest Society” e sipërmarrësve Dajlan Avdia, Glendi Abdi dhe Edison Hatellari, të cilët e quajtën “Godina Polifunksionale Evropiane Blloku”. Koncepti fillestar që mori lejen e zhvillimit parashikonte 8 kate lartësi.
“Cube of Blloku” aktualisht quhet “Rainbow Center”. Kjo godinë u ngrit mbi lokalin e njohur “Bar Rovena”, trualli i të cilit në vitin 2015 u ble në mënyrë të diskutueshme nga ish-deputetët sipërmarrës Tom Doshi e Ndriçim Babasi.
Asokohe artistja Rovena Dilo ngriti pretendimet se ish-ligjvënësit e përfituan pronën “me ndërhyrje” dhe “dokumente të falsifikuara”.
Rruga “Ismail Qemali” në ish-Bllok, njihet për vilat dhe ndërtesat historike si për shembull vilat “Nr.11” dhe “Nr.31” ku pas Luftës së Dytë Botërore u vendos diktatori Enver Hoxha.
Ngjashëm me vlera arkitektonike dhe historike janë dhe të ashtuquajturat “Pallatet e Xhenios” një bllok me të paktën katër ndërtesa tre-katër katëshe ngritur fillim-viteve 40-të.
Historiku i zonës ku po ndërtohet
Zona – e njohur sot si ish-blloku, – u zhvillua kryesisht në periudhën 1925-1943 nën ndikimin e arkitekturës italiane.
Mbi 30 vila dhe blloqe rezidenciale dy-trekatëshe u ndërtuan gjatë kësaj kohe sipas konceptit urbanistik të parcelizimit me oborre dhe lulishte duke i dhënë qytetit një zonë të re me stil modern.
Fillimisht atje u vendosën familje oficerësh italianë, më tej nëpunës, zyrtarë dhe sipërmarrës të kohës së monarkisë.
Gjatë diktaturës vilat u konfiskuan dhe zona u konceptua si bllok ku u vendos udhëheqja politike.
Asaj iu shtuan disa pallate 5-katëshe, ndërsa pas viteve 90-të – dhe veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit – zhvillimi i paplanifikuar mirë tjetërsoi vilat dhe hapësirat e gjelbra në komplekse pallatesh shumëkatëshe.
Marrë nga Citizens.al