Në vitin 2013, një studim i kryer nga gjermanët për zhvillimin e turizmit në bregdetin jugor të Shqipërisë, evidentoi dy probleme kryesore. Rrugën e gjatë nga aeroporti i Tiranës dhe mungesën e garancisë për furnizim me ujë.
Specialistët pohojnë se e vetmja zgjidhje e qendrueshme për të furnizuar zonat bregdetare matanë Llogarasë është ujësjellësi i Tragjasit. Aktualisht ky burim është një pasuri ujore që, në pjesën më të madhe, derdhet pa asnjë dobi në det. Por pavarësisht kësaj, projekti për të furnizuar bregdetin e jugut me ujin e Tragjasit ka ngecur për shkak se kundërshtohet nga banorët e këtij fshati.
Historiku
Projekti për furnizimin me ujë të bregdetit jugor nga burimi i Tragjasit nisi me një kërkesë për investim nga Bashkia e Himarës. Kujtim Muço, Inxhinier Hidroteknik, sqaron rrugëtimin e këtij investimi:
Të trembur se marrja e burimit do të lërë fshatin e tyre pa ujë, banorët e Tragjasit kanë protestuar fuqishëm kundër projektit. Por ndryshe nga frika e tyre, shifrat gjelogjike tregojnë një realitet tjetër. Atë se burimi është i pashtershëm dhe ka ujë për të furnizuar plotësisht fshatin dhe bregdetin jugor. Arianit Gelaj, Specialist në AKUK, jep detajet teknike që vërtetojnë bollëkun e ujit:
“Burimi është një burim tektoniko-karstik ngjitës dhe bën pjesë në akuiferin karbonatik të Tragjasit, i cili është si zonë ushqimi ka të përbashkët me Ujin e Ftohtë Vlorë. Domethënë është i njëjti akuifer karstik. Ky burim ka pasur të dhëna të hershme të cilat i kanë pasqyruar edhe në studim. Të dhënat kanë qenë nga 700 litra deri në 3,300 litra në sekondë. Mbi bazën e të dhënave të shërbimit gjeologjik, prurja minimale e këtij burimi ka rezultuar 497 litra/sekondë.”
Më tej, Gelaj thekson se projektimi është bërë me vizion afatgjatë: Ujësjellësi për furnizimin me ujë të zonave Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi është parashikuar të marrë 290 litra ujë në sekondë.
“Projekti do të zhvillohet për një periudhë 25-vjeçare, dhe sasinë prej 290 litrash në sekondë do ta ketë pas 25 viteve. Sot sasia duhet të jetë shumë herë më e vogël… Leja nga agjencia e menaxhimit të burimeve ujore është marrë për 290 litra, por është llogaritur të lihet një rrjedhje ekologjike prej 186 litrash,” shpjegon ai.
Paradoksi i Dhimbshëm: Bollëku i Malit dhe Etja e Bregut
Në Tragjas, uji nuk është problem. Banorët nuk vuajnë për ujë të pijshëm. Shumica e banorëve kanë puse, ndërkohë që burimet ujore kanë prurje të bollshme. Nga ana tjetër, vetëm pak kilometra më tej, në Dhërmi e Palasë, mungesa e ujit po kthehet në një krizë humanitare dhe ekonomike.
Një banor i Dhërmiut shpjegon vështirësitë ekstreme: “Jam që të enjten pa ujë, jo vetëm unë por i gjithë fshati. Po s’erdhi nga Tragjasi dhe po s’u vu dorë në rregullim, kështu do jetë gjithmonë.”
Bllokimi i Lotit të Tretë të ujësjellësit mban peng jo vetëm mirëqenien e mijëra banorëve të Dhërmiut, Palasës dhe Radhimës, por edhe imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik serioz.
Kur të dhënat teknike tregojnë se uji derdhet kot në det dhe se sasia e marrë nuk dëmton ekosistemin, kundërshtimi humb sensin e logjikës. Në fund, qeveria dhe institucionet kanë vetëm një zgjidhje. Ose të ulen dhe të garantojnë banorët e Tragjasit se ujësjellësi i ri nuk do të cënojë furnizimin e tyre të përditshëm, ose të shkatërrojnë përfundimisht turizmin në Jug.
Dhe kjo është një zgjidhje, e cila nuk pret shumë. Sezoni i ri turistik po afron sërish. Dhe perla e turizmit shqiptar, siç e cilëson vetë qeveria bregdetin e Jugut, është sërish pa ujë dhe pa kanalizimet.
Por turizëm pa ujë nuk mund të ketë. Aq më tepër, turizëm elitar.
Marrë nga Kapitali.al