I mituri i akuzuar si vrasësi i nxënësit 14-vjeçar M.C., është dërguar në burgun e Kavajës. Ndaj tij ka masë sigurie arrest në burg.
Transferimi për në burgun e Kavajës u bë pas peripecive me mjekun e spitalit privat ku mjekohej autori i dyshuar, pasi edhe vetë kishte plagë me thikë në krah. Mjeku nuk pranonte t’i jepte Drejtorisë së Burgjeve epikrizën e mjekimit të autorit të dyshuar, duke mos mundësuar në këtë mënyrën daljen e tij nga spitali.
Për këtë ngërç u vu në dijeni edhe prokurorja e çështjes, e cila tha se i mituri duhet të dërgohet në burgun e Kavajës, pasi plaga në krah nuk përbën rrezik për jetën dhe mund të mjekohet në infermierinë e burgut. Pas këtij momenti, Autoritetet e Burgjeve arritën të merrnin epikrizën nga mjeku.
Autori i dyshuar akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese. Ai goditi me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij 14-vjeçar në një sherr banal që ndodhi pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Të dy ishin nxënës të kësaj shkolle.