Prokuroria e Posaçme po feston sot 5-vjetorin e krijimit të saj. Gjatë një ceremonie për mediat, kryetari i SPAK Altin Dumani ka deklaruar se në këto vite SPAK ka treguar se drejtësia nuk ka kah politike. Po ashtu ai ka bërë dhe një bilanc të punës së instiitucionit këto vite, ku ka theksuar se lidhur me korrupsion janë nën hetim 1036 persona, nga të cilët 61 zyrtar të nivelit shumë të lartë.
Dumani u shpreh se korrupsioni dhe krimi nuk janë më të paprekshme, dhe shtoi se nuk ka më funksionarë të lartë imun ndaj drejtësisë. Kryeprokurori theksoi se kanë vijuar punën pavarësisht shpifjeve e kërcënimeve personale e familjare.
Në ceremoninë e 5-vjetorit të SPAK, mori pjesë dhe mbajti fjalën e tij edhe zëvendësndihmës sekretari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof. Ai tha se, SHBA mbështet punën e Prokurorisë së Posaçme në luftën për goditjen e pandëshkueshmërisë në nivele të larta të politikës. Kasanof tha më tej se u desh guxim i jashtëzakonshëm për të nisur këtë rrugëtim dhe për të ndërtuar një institucion për të luftuar shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Zyrtari i lartë amerikane u shpreh gjithashtu se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish edhe pas përfundimit të mandatit të tyre aktual, në mënyrë që të vijojë pa u ndërprerë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij në ceremoni u shpreh se SPAK është një element i rëndësishëm i reformës në drejtësi dhe që bëri të mundur fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Ai shtoi se SPAK nuk duhet të jetë institucioni i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar.