Kevin Hajrulla dhe Armand Spahiu kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, nga një atentat me armë zjarri. Shënjestra e atentatit ishte 30-vjeçari, Kevin Hajrulla, i cili është kushëriri i Inez Hajrulla, i njohur ndryshe si “i forti i Vlorës”.
Hajrulla ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar drejt spitalit të Traumës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ndërkohë i plagosur nga atentati mbeti i plagosur edhe 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili shiste fruta-perime pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjendur në total 80 gëzhoja dy karikator kallashnikovi të zbrazur totalisht. Autorët ende të paidentifikuar, kanë lëvizur në Vlorë me një mjet tip “KIA” me targa italiane, të cilat rezultojnë të vjedhura.
Pas plagosjes, autorët janë larguar në drejtim te fshatit Panaja, ku dhe kanë djegur automjetin e përdorur nga ata. Brenda automjetit janë gjetur dy armë zjarri tip kallashnikov dhe dy krehër fishekë. Njëra armë është sediljen e pasagjerit në pjesën e parme të makinës, ndërsa tjetra pas. Kjo konfirmon edhe praninë e 3 autorëve, njëri shofer dhe dy qitës.