Nga Lily Lynch
Në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, kancelari gjerman Otto von Bismarck tha në mënyrë të famshme se Shqipëria nuk ishte asgjë më shumë se “një shprehje gjeografike”.
Për t’iu kundërvënë këtij qëndrimi, udhëheqësit shqiptarë themeluan Lidhjen e Prizrenit për të çuar përpara interesat dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Por fuqitë e mëdha ishin shpërfillëse dhe tokat shqiptare u ndanë shpejt mes Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi.
Një shekull më vonë, diktatori komunist Enver Hoxha e risolli këtë moment me gjuhën e tij karakteristike plot helm në kujtimet e tij të vitit 1982, Kërcënimi anglo-amerikan ndaj Shqipërisë. “Imperialistët anglo-amerikanë, këta armiq të egër dhe të vendosur të popullit shqiptar, e kanë përdorur gjithmonë vendin tonë si mjet shkëmbimi në transaksionet e tyre ndërkombëtare”, shkruante ai. “Anglo-amerikanët” njiheshin se i shndërronin edhe tokat e tyre “në fusha golfi për lordët”, ndaj çfarë do të bënin ata me pasuritë natyrore të Shqipërisë?
Hoxha ishte një paranojak i njohur, i cili e çoi vendin e tij drejt një izolimi pothuajse autarkik deri në rënien e sistemit në fillim të viteve ’90. Por për synimet anglo-amerikane në rajon, ai mund të ketë pasur njëfarë të drejte. Për fuqitë e huaja, Shqipëria ka qenë gjithmonë një pronë e lakmuar – dhe vetëvendosja shqiptare ka qenë prej kohësh një pengesë për zotërimin e plotë të saj.
Planet përfshijnë një zhvillim luksoz në ishullin e Sazanit dhe një projekt tjetër luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, në territorin e bashkisë së Zvërnecit. Protestat e drejtuara nga Gjenerata Z në përgjigje të këtyre planeve janë ndjekur nga dhjetëra mijëra njerëz – megjithëse disa vlerësime sugjerojnë se numri mund të ketë arritur deri në 250 mijë – duke i bërë ato ndër protestat më të mëdha në Shqipëri që prej rënies së komunizmit.
Pjesa më e madhe e pakënaqësisë së publikut është drejtuar ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilit protestuesit i kërkojnë të japë dorëheqjen. Rama, një artist nga Partia Socialiste, është një politikan ekstravagant, i orientuar drejt marrëdhënieve me publikun, i cili ka shumë admirues në Perëndim. Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, nga viti 2000 deri në vitin 2011, ai urdhëroi lyerjen me ngjyra të ndezura të fasadave të blloqeve gri të periudhës komuniste – një nismë që ai e përshkroi si “avangarda e demokratizimit”. Tani, protestuesit e akuzojnë atë se drejton një qeveri që ka pranuar vetëm retorikën e demokracisë liberale, ndërsa po sjell një autokratizim gradual. Projekti i pasurive të paluajtshme i Kushnerit plotëson përpjekjet e Ramës për të riformësuar identitetin urban shqiptar përmes projekteve të rizhvillimit të mbështetura nga kapitali i huaj.
Ai është gjithashtu një shembull i një lloj globalizmi të Trumpit: rrjeti ndërkombëtar i pasurive të paluajtshme dhe marrëveshjeve të paqes, të ndërmjetësuara nga rrethi i ngushtë i Trumpit dhe të financuara nga petrodollarët e Gjirit. Pothuajse menjëherë pasi Trump fitoi zgjedhjet e vitit 2024, qeveria shqiptare i dha në mënyrë kontroverse statusin e “investitorit strategjik” projektit bregdetar kompanisë Atlantic Incubation Partners – një kompani e lidhur me fondin Affinity Partners të Kushnerit me bazë në Miami.
Affinity Partners është një kompani e kapitalit privat e mbështetur nga një koleksion i madh fondesh sovrane të pasurisë së vendeve të Gjirit, kryesisht Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), së bashku me autoritetet e investimeve të Katarit dhe Emirateve. Këto interesa janë të ndërlidhura gjithashtu në rindërtimin e Gazës përmes të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” i Trumpit, ku Shqipëria dhe shtetet e Gjirit janë anëtare themeluese dhe Kushner është anëtar i bordit ekzekutiv.
Një protestë e zhvilluar në qershor në kryeqytetin Tiranë u organizua për të përkuar me përvjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit. “Sot, në 148-vjetorin”, tha një prej protestuesve, “jemi në të njëjtën situatë. Atdheu ynë është në rrezik, ndaj jemi këtu, jemi bashkuar për ta mbrojtur Shqipërinë nga këta pushtues. Për të mbrojtur tokat tona [dhe] natyrën për të ardhmen tonë.” Shumë prej shqetësimeve më të mëdha lidhur me projektet e Kushnerit kanë të bëjnë me kërcënimin që ato mund t’i paraqesin faunës së brishtë të zonës. Më shqetësuesja është se zhvillimi bregdetar do të shtrihej në lagunën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Kjo është një habitat thelbësor për shpendët migratorë, ku gjenden rreth 40 lloje shpendësh, përfshirë pelikanët kaçurrelë dhe rreth 3 mijë flamingo, prandaj edhe emri i protestave – Revolucioni i Flamingove. Në fund të pranverës, pranë zonës së Zvërnecit nisën të shfaqeshin buldozerë dhe barriera me tela me gjemba, duke shkaktuar një përplasje të dhunshme, gjatë së cilës rojet private të sigurisë sulmuan protestuesit. Rama pretendon se ata ende po kryejnë vetëm një vlerësim të ndikimit në mjedis dhe se, derisa ai të përfundojë, pjesa më e madhe e kundërshtimit ndaj projektit bazohet vetëm në spekulime.
Në mënyrë të parashikueshme, shqetësimet për ligjshmërinë e dyshimtë të projektit kanë shoqëruar planet e Kushnerit për zhvillimin luksoz. Organi i pavarur shqiptar kundër korrupsionit, SPAK, po heton një sërë ndryshimesh të dyshimta në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të miratuara në shkurt të vitit 2024, të cilat hoqën një pengesë të rëndësishme ligjore për projektin. (Megjithëse ndryshimet u prezantuan para zgjedhjeve amerikane, liderët e Ballkanit kishin kohë që përgatiteshin për rikthimin e mundshëm të Trumpit dhe po përshtatnin politikat e tyre në përputhje me këtë.)
Legjislacioni i rishikuar “rishkroi filozofinë bazë të mbrojtjes”, siç e përshkroi një raport i fundit, duke ndryshuar prioritetin për zonat e mbrojtura “nga ‘ruajtja e natyrës’ te ‘hapja ndaj investimeve’”. Ndryshimet kanë alarmuar edhe BE-në: më 17 qershor, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë ku kërkonte shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin e Shqipërisë për Zonat e Mbrojtura dhe “respektimin e plotë të standardeve të BE-së për mbrojtjen e natyrës”.
Ideja që ishulli i Sazanit tani duhet të bëhet një lodër e familjes Trump dhe e super të pasurve ndërkombëtarë është veçanërisht fyese duke pasur parasysh historinë e tij. Për pjesën më të madhe të shekullit XX, ishulli ishte i paarritshëm për shumicën e shqiptarëve. Sazani e nisi shekullin si zotërim osman, më pas kaloi nën sundimin kolonial italian në vitin 1914 dhe mbeti një bazë operacionesh për Marinën Mbretërore Italiane deri në vitin 1947. Më pas, ishulli u shndërrua në një pozicion të rëndësishëm detar sovjetik. “Nga këtu mund ta kemi të gjithë Mesdheun, nga Bosfori deri në Gjibraltar, në duart tona! Mund t’i kontrollojmë të gjithë”, thuhet se ka thënë Nikita Hrushovi gjatë një vizite në bazën e nëndetëseve në Pashaliman, aty pranë.
Më pas, gjatë ndarjes kino-sovjetike në vitin 1961, Hoxha u rreshtua me Kinën dhe urdhëroi evakuimin e bazës sovjetike në Sazan. Shqipëria u prish përfundimisht me Kinën në vitin 1978 dhe u zhyt edhe më thellë në izolim dhe paranojë ndërkombëtare: Sazani thuhet se u fortifikua me rreth 3,600 bunkerë, së bashku me një rrjet kompleks tunelesh nëntokësore. Edhe pas rënies së komunizmit, Sazani zyrtarisht mbeti një bazë ushtarake dhe shqiptarëve u ndalohej ta vizitonin. Vetëm në vitin 2015 civilët mundën të nisnin aplikimet për leje të posaçme për të parë ishullin dhe, edhe atëherë, vizitat ishin të kufizuara në mënyrë të rreptë. Udhëtimet e rregullta të organizuara me varka nisën vetëm në vitin 2019, por u ndërprenë papritur nga pandemia.
Ivanka Trump së fundmi u përball me shumë tallje pasi pretendoi se kishte “zbuluar” ishullin gjatë lundrimit me jaht me financierin britanik Nat Rothschild. “Është një ishull privat i pabesueshëm, i bukur, me 1,400 hektarë, në mes të Mesdheut”, tha ajo në një intervistë për një podcast këtë verë. “Ishim në varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar. Në njëfarë mënyre, kështu e zbuluam.” Gjatë së njëjtës vizitë, Edi Rama u takua me familjen Kushner në jahtin e Rothschild.
Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajon ku familja Kushner ka shfaqur interes grabitqar. Në vitin 2024, në të njëjtin vit kur Affinity Partners njoftoi planet e saj për bregdetin shqiptar, kompania prezantoi gjithashtu një projekt zhvillimi për një prej pronave me ndjeshmërinë më të madhe historike në kryeqytetin serb të Beogradit: rrënojat e bombarduara të ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë, ose Generalštab, e cila u godit nga sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999. Kushner planifikonte të ndërtonte një hotel madhështor Trump International mbi rrënojat. Në Serbi, Affinity Partners kishte planifikuar të bashkëpunonte me zhvilluesin me bazë në Abu Dhabi, Eagle Hills – një kompani tashmë e njohur për zhvillimin e Belgrade Waterfront, të frymëzuar nga Dubai.
Ashtu si në Shqipëri, planet serbe ishin të një ligjshmërie të dyshimtë: kompleksi modernist Generalštab kishte qenë prej vitesh i listuar si monument i mbrojtur i trashëgimisë kulturore – një pengesë që qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiç tentoi ta anashkalonte duke ia hequr këtë status. Ministri i Kulturës, Nikola Selaković, është vënë në gjyq për këtë veprim. Së fundmi, ai u deklarua “i pafajshëm” ndaj akuzave dhe Vuçiç është zotuar ta falë nëse shpallet fajtor.
Pavarësisht rezultatit të gjyqit, heqja e statusit të mbrojtjes për Generalštab rezultoi e kotë: kundërshtimi ndaj hotelit të planifikuar Trump mobilizoi një koalicion të pazakontë arkitektësh, urbanistësh, veteranësh lufte, nacionalistësh dhe të majtësh. Reagimi i ashpër e trembi Kushnerin dhe ai e braktisi projektin serb në dhjetor 2025. Siç i tha një zëdhënës i Affinity Partners mediave lokale, “Projektet e mëdha duhet të bashkojnë dhe jo të përçajnë. Dhe, për respekt ndaj qytetarëve të Serbisë dhe qytetit të Beogradit, ne po tërheqim kërkesën tonë në këtë moment dhe nuk do të ndjekim më pjesëmarrjen në këtë projekt.”
Ka edhe paralele të tjera mes rasteve serbe dhe shqiptare. Në të dyja vendet, protestat masive të kohëve të fundit kundër qeverisë janë shndërruar në një referendum brezash mbi të gjithë klasën politike të periudhës së tranzicionit. “Për herë të parë ndonjëherë, protesta nuk është vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër partisë më të madhe të opozitës, si pjesë e ‘elitës së vjetër politike’”, më thotë Celik Rruplli, një analist mediatik me bazë në Tiranë. Në Shqipëri, protestuesit kundër projekteve të Kushnerit kanë brohoritur “Rama në burg – Berisha në burg!” – ky i fundit është një referencë për liderin e opozitës Sali Berisha, i cili më parë ka shërbyer si kryeministër dhe president.
Berisha u vendos nën sanksione amerikane për korrupsion nga administrata Biden në vitin 2021, por në qershor të këtij viti, Departamenti i Shtetit hoqi përcaktimin “non grata” ndaj tij. Protestat që kanë tronditur Serbinë që prej shembjes vdekjeprurëse të tendës së një stacioni treni në nëntor 2024 janë organizuar sipas një fryme të ngjashme: duke synuar qeverinë në pushtet të Vuçiçit, ndërsa njëkohësisht duke mos u rreshtuar me opozitën zyrtare.
Mobilizimi masiv si në Shqipëri, ashtu edhe në Serbi, tregon një lodhje jo vetëm me klasën politike postkomuniste, por edhe me një supozim të rëndësishëm ideologjik që erdhi bashkë me të: se investimet e huaja në një valë projektesh të shndritshme zhvillimi janë një tregues domethënës i përparimit. Më shumë se tre dekada pas tranzicionit drejt demokracisë së pretenduar, rajoni vazhdon të mbytet në beton dhe xham.
Shumë zhvillime luksoze të ndërtuara për elitën ndërkombëtare tashmë shëmtojnë brigjet e lumenjve dhe deteve të tij, ndërsa të rinjtë vazhdojnë të largohen nga rajoni në numër të madh. Sot, paga mesatare mujore neto në Shqipëri është rreth 650 paund; pushimet në resortet luksoze janë përtej mundësive të të gjithëve, përveç më të pasurve të elitës postkomuniste të vendit.
Megjithatë, Rama vazhdon të shfaqë qëndresë. Ai këmbëngul se vlerësimet e nevojshme do të kryhen dhe është zotuar se projekti do të vijojë. Por protestuesit janë po aq të vendosur dhe thonë se nuk do të tërhiqen. Demonstratat vazhdojnë të zhvillohen çdo mbrëmje dhe ka gjasa të intensifikohen në vjeshtë, pasi njerëzit të kthehen nga pushimet verore dhe të nisë ndërtimi. Rama mund të jetë i etur ta shndërrojë vendin e tij në avangardën e trumpizmit global, por qytetarët e tij janë po aq të etur të dëshmojnë se Shqipëria nuk është në shitje – se këtë herë ata janë të pamposhtur.
Marrë nga The New Statesman