Shqipëria po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare për përdorimin e inteligjencës artificiale në politikë dhe administratën publike. Në një kronikë të publikuar nga Al Jazeera, trajtohet mënyra se si teknologjia po përdoret nga drejtuesit politikë shqiptarë, nga videot virtuale të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, deri te emërimi i Diellës, ministres virtuale të krijuar me inteligjencë artificiale nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Kronika ndalet te rasti i Erion Veliajt, i cili ndonëse ndodhet në paraburgim që nga fillimi i vitit 2025, ka vijuar të komunikojë me qytetarët përmes videove të publikuara në rrjetet sociale, të krijuara me inteligjencë artificiale. Në njërën prej tyre, ai flet për ofrimin e ushqimit falas për fëmijët e shkollave dhe shprehet se do të vazhdojë të punojë për Tiranën edhe nga qelia.
“Tirana është nderi i jetës sime. Për t’ia shpërblyer këtë ndër, do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur”, thotë Veliaj.
Sipas Al Jazeeras, ky rast është pjesë e një zhvillimi më të gjerë që ngre pikëpyetje mbi përdorimin e figurave virtuale në komunikimin politik dhe marrëdhënien mes teknologjisë dhe institucioneve publike. Media ndalet edhe tek Diella, ministrja virtuale e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, e cila është konceptuar për të ndihmuar në mbikëqyrjen e kontratave dhe tenderëve publikë. Kjo me synimin për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin.
Al Jazeera thekson se Shqipëria, ndërsa synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të përballet me sfida në fushën e korrupsionit. Sipas saj, përdorimi i inteligjencës artificiale në administratën shtetërore shihet si një eksperiment i veçantë që mund të tërheqë interesin edhe të vendeve të tjera evropiane.
Megjithatë, projekti i Diellës është shoqëruar edhe me polemika ligjore. Kronika bën me dije se aktorja shqiptare Anila Bisha, fytyra dhe zëri i së cilës janë përdorur për krijimin e ministres virtuale, ka ngritur padi ndaj qeverisë, duke pretenduar se nuk ka dhënë pëlqimin për përdorimin e ngjashmërisë së saj në këtë rol politik. Ndërkohë opozita ka kundërshtuar emërimin e Diellës, por Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar çështjen. Kjo duke argumentuar se inteligjenca artificiale është një mjet teknologjik dhe nuk mund të marrë apo të zëvendësojë kompetencat, përgjegjësitë dhe llogaridhënien që u takojnë institucioneve dhe njerëzve.
Në kronikë trajtohet gjithashtu kuadri ligjor evropian për inteligjencën artificiale, përfshirë detyrimin për etiketimin e qartë të përmbajtjeve të caktuara të krijuara ose të manipuluara me këtë teknologji, kur ato klasifikohen si “deepfake”.
Marrë nga Al Jazeera