Përplasja në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe Demokratëve Europianë është përshkallëzuar pas protestave të fundit në Tiranë dhe reagimeve për mënyrën e menaxhimit të tyre nga policia.
Demokratët Europianë ngritën shqetësime për përdorimin e forcës ndaj protestuesve, ndalimet dhe praninë e personave pa uniforma gjatë protestës, duke e cilësuar situatën si një test për standardet demokratike të Shqipërisë.
Ata kërkuan transparencë dhe respektimin e së drejtës për protestë paqësore. • Rama iu kundërpërgjigj duke e zhvendosur fokusin te përplasjet me deputetët, veçanërisht te incidenti me deputeten socialiste Iris Luarasi.
Kryeministri argumentoi se pengimi fizik i deputetëve për të hyrë në Kuvend dhe përplasjet me protestuesit nuk mund të justifikohen si formë e kundërshtimit demokratik.
Demokratët Europianë reaguan sërish, duke bërë dallimin mes dënimit të dhunës dhe mbrojtjes së së drejtës për protestë.
Sipas tyre, incidentet e dhunshme nuk mund të përdoren për të delegjitimuar të gjithë protestën apo për të shmangur shqetësimet mbi mënyrën e veprimit të autoriteteve.
Në reagimin e fundit, Rama këmbënguli në qëndrimin e tij se ajo që ndodhi me deputetët ishte dhunë dhe jo thjesht kundërshtim politik, duke e akuzuar palën europiane për këmbëngulje në një qëndrim që është i gabuar.
Marrë nga Dosja.al