Një miliarder britanik fondesh spekulative është akuzuar se po financon fshehurazi anarkistë të klimës, aktivistë të majtë radikalë dhe madje edhe grupe të lidhura me Partinë Komuniste të Kinës, ndërsa ndikon në politikën amerikane nga larg.
Një raport i ri i publikuar nga organizata konservatore “Americans for Public Trust” (APT) pretendon se Sër Christopher Hohn-i, një nga njerëzit më të pasur në botë, ka derdhur në heshtje mbi 553 milionë dollarë në organizata jofitimprurëse dhe grupe avokimi amerikane gjatë dekadës së fundit.
Dokumenti 11-faqesh përmend fondacionin bamirës të Hohn-it, “Children’s Investment Fund Foundation” (CIFF), si qendrën e një rrjeti të gjerë që kanalizon “para të errëta” të huaja drejt grupeve të majta në SHBA, duke shtyrë përpara, sipas APT-së, “një agjendë të gjelbër radikale dhe të drejtësisë sociale.”
APT pretendon se fondacioni i Hohn-it ka financuar procese gjyqësore për klimën, protesta kundër karburanteve fosile dhe aktivizëm politik, madje edhe grupe me lidhje të ngushta me Partinë Komuniste të Kinës.
Hohn është krahasuar me investitorin hungarezo-amerikan George Soros, të dy bënë miliarda nga fondet spekulative dhe i përdorën pasuritë e tyre për të financuar organizata të majta, që kritikët i quajnë mbështetje për aktivizëm të rrezikshëm.
Lindur në Surrey të Anglisë në vitin 1966, Hohn vjen nga një familje modeste: babai i tij ishte mekanik makinash me origjinë nga Xhamajka, ndërsa nëna sekretare ligjore. Ai studioi në Harvard Business School dhe u ngjit shpejt në elitën e fondeve të spekulative në Wall Street.
Në vitin 1995, ai u martua me akademiken amerikane Jamie Cooper, me të cilën pati katër fëmijë. Çifti bashkëthemeloi CIFF, duke kombinuar pasurinë e tij nga investimet me përvojën e saj në filantropi.
Kur u divorcuan në vitin 2014, Hohn u detyrua t’i paguante Cooper 337 milionë £ (450 milionë $), një nga divorcet e më të mëdha në historinë e Britanisë.
Ndarja ndërpreu gjithashtu lidhjet midis fondit të tij dhe fondacionit. Po atë vit, Hohn u nderua me titullin “Sër” për kontributin në filantropi dhe më vonë u martua me Kylie Hohn-in.
Megjithëse ka një pasuri prej rreth 9 miliardë dollarësh, Hohn, 59 vjeç, kultivon një imazh të përmbajtur e të thjeshtë. Është vegan, bën joga, nget një Toyota Prius dhe mban një orë të lirë Swatch.
“Unë jap gjithçka që fitoj,” ka thënë ai dikur, duke shtuar se qëllimi dhe kuptimi janë çelësi për “lumturi të qëndrueshme.”
Por kritikët thonë se stili i tij i investimeve vetëm i qetë nuk mund të quhet. Werner Seifert, ish-drejtor ekzekutiv i Deutsche Börse, e quajti qasjen e Hohn-it “helm’ sallash bordesh”, duke e akuzuar se zhvillon “luftë korporatash” përmes taktikave agresive e konfrontuese.
Hohn këmbëngul se aktivizmi është një “mjet i fuqishëm” që shumë drejtues fondesh e shmangin sepse është “i paparashikueshëm dhe i kushtueshëm.” “Të shtysh për ndryshim nuk është për zemra të dobëta,” ka thënë ai për Institutional Investor dhe publikime të tjera.
Hohn drejton “The Children’s Investment Fund” (TCI), një fond investimesh me bazë në Londër që kontrollon rreth 60 miliardë dollarë në pasuri, përfshirë aksione të mëdha në kompani si Microsoft, Visa dhe General Electric.
Krahu i tij bamirës, CIFF, ka një fond prej 6 miliardë dollarësh dhe deri së fundmi ka derdhur qindra milionë në organizata amerikane dhe grupe mjedisore.
APT e përshkruan CIFF si “një strukturë labirint” e lidhur me entitete në Ishujt Kajman dhe Ishujt e Virgjër Britanikë, që i jep mundësinë të lëvizë paratë globalisht me mbikëqyrje minimale.
Raporti e akuzon CIFF për financimin e lëvizjeve mjedisore radikale, përfshirë “Extinction Rebellion” (XR), grupin protestues që organizon bllokime rrugësh dhe “rebelime klimatike” në Londër dhe Uashington DC.
Sipas raportit, Hohn personalisht ka dhënë të paktën 65,000 dollarë për XR, ndërsa fondacioni i tij ka kontribuar rreth 200,000 dollarë.
Degët amerikane të XR kanë bërë thirrje për “rebelim kundër qeverisë së SHBA-së” për mënyrën se si ajo trajton krizën klimatike, gjë që APT e cilëson si financim të huaj të trazirave të brendshme.
CIFF ka investuar gjithashtu dhjetëra milionë në organizata të mëdha klimatike që nxisin padi ndaj kompanive të energjisë, fushata për ndalimin e sobave me gaz dhe përfshirjen e aktivizmit klimatik dhe social në kompanitë amerikane.
Ndër përfituesit kryesorë në SHBA, sipas raportit të APT, janë:
– Energy Foundation China – 70 milionë $
– Rockefeller Philanthropy Advisors – 68 milionë $
– C40 Cities Climate Leadership Group – 57 milionë $
– World Resources Institute – 51 milionë $
– The Sunrise Project – 36 milionë $
APT pohon se këto grupe promovojnë politika që “minojnë pavarësinë energjetike të SHBA-së” dhe forcojnë ndikimin politik progresist.
Ajo që APT e konsideron më shqetësuese janë lidhjet e ngushta të CIFF me Partinë Komuniste të Kinës.
Që nga hapja e zyrës së saj në Pekin në vitin 2019, CIFF ka bashkëpunuar me institucione të lidhura me shtetin, si Qendra Kombëtare për Energjinë e Rinovueshme dhe Universiteti Tsinghua, të dy të angazhuar në kërkime energjetike dhe mbrojtjeje.
Drejtoresha ekzekutive e CIFF, Kate Hampton, është anëtare e Këshillit të Kinës për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Mjedisin dhe Zhvillimin, një organizatë e mbikëqyrur nga zyrtarë të lartë të Partisë Komuniste.
Ajo ka folur në forume të “Belt and Road Initiative” dhe në vitin 2024 mori “Çmimin e Miqësisë së Kinës”, që u jepet ekspertëve të huaj që “kontribuojnë në reformat dhe zhvillimin e vendit.”
APT paralajmëron se këto lidhje ngrenë shqetësime serioze për ndikimin e mundshëm të Pekinit mbi politikën klimatike amerikane.
Raporti citon një seancë të nënkomisionit të Senatit të vitit 2025, të udhëhequr nga senatori Ted Cruz, e cila hetoi nëse organizatat e lidhura me Pekinin po financonin fshehurazi grupet amerikane të gjelbra.
“Paratë e huaja nga entitete të lidhura me Partinë Komuniste të Kinës po hyjnë në Shtetet e Bashkuara për të financuar grupe që bëjnë padi kundër industrisë amerikane të energjisë,” tha Cruz.
David Arkush nga organizata e majtë Public Citizen kundërshtoi këto pretendime, ndërsa vetë Cruz është kritikuar për mungesë provash për pohimet e tij.
Sipas ligjit amerikan, shtetasit e huaj lejohen të financojnë projekte bamirëse, por nuk mund të përdorin fonde për të ndikuar në zgjedhje ose për të lobuar drejtpërdrejt tek politikëbërësit.
Gjithashtu, nuk është e pazakontë që aktivistët e klimës të bashkëpunojnë me Kinën, e cila është një nga liderët botërorë në energjinë e gjelbër.
Mbrojtësit e mjedisit thonë se grantet e CIFF janë pjesë e një përpjekjeje globale për të arritur objektivat klimatike dhe për të shpëtuar jetë, jo “para të errëta” të dyshimta.
Mbështetësit e CIFF theksojnë miliarda dollarë të shpenzuar për ushqimin e fëmijëve, shëndetin e nënave dhe vaksinat, duke argumentuar se politikat klimatike janë thelbësore për mbrojtjen e brezit të ardhshëm.
Në një veprim të papritur këtë muaj, CIFF njoftoi se po i jep fund dhënies së granteve në SHBA, duke përmendur “mungesë besimi në kuptimin e mjedisit politik amerikan.”
Fondacioni, i cili fokusohet në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, ndryshimet klimatike dhe të drejtat seksuale e riprodhuese, tha se do të “ristrukturojë kontratat e tij dhe do t’i drejtojë fondet te OJQ-të jashtë SHBA-së.”
Një zëdhënës i tha Daily Mail se CIFF mbetet “e përkushtuar për të përmirësuar jetën e fëmijëve më të pambrojtur” në mbarë botën, por refuzoi të komentojë mbi akuzat e raportit.
Tërheqja e fondacionit vjen në një kohë kur organizatat liberale jofitimprurëse janë nën shtim të kontrollit nga administrata e presidentit Donald Trump, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e huaj dhe statusin e tyre tatimor si “jo-politike.”
Ndërsa misioni publik i CIFF përqendrohet në shpëtimin e planetit, aktivitetet e biznesit të vetë Hohn-it tregojnë një anë më të errët.
Raportet arkivore tregojnë se fondi i tij kishte dikur një investim prej 825 milionë dollarësh në aeroportin e Heathrow-t, si dhe pozicione të mëdha në Airbus dhe Coal India, kompani që shihen si ndotëse të mëdha nga vetë aktivistët që ai financon.
Pavarësisht këtyre kundërthënieve të dukshme, Hohn nuk ka hequr dorë nga misioni i tij publik.
“Njerëzimi po shkatërron botën me ndryshimet klimatike,” tha ai për The Telegraph, duke bërë thirrje për “veprim urgjent që të gjithë të zgjohemi ndaj këtij realiteti.”
Raporti i APT-së e paraqet Hohnit si hipokrit, duke thënë se donacionet e tij të mëdha përbëjnë një formë ndikimi të huaj nën maskën e ambientalizmit.
Në përfundim, APT argumenton se aktivitetet e Hohn-it, megjithëse ligjore sipas rregullave aktuale të organizatave jofitimprurëse, zbulojnë boshllëqe të mëdha në ligjet amerikane për financimin e huaj.
Ajo i bën thirrje Kongresit të forcojë ligjin për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), të kërkojë transparencë të plotë për donacionet e huaja të grupeve të avokimit dhe madje të ndalojë krejtësisht financimin e huaj për organizatat jopolitike me aktivitet politik.
Organizata konservatore APT ka publikuar disa raporte kritike ndaj rrjeteve liberale të “parave të errëta”, por rrallë ka hetuar burimet e financimit të krahut të djathtë.
Ajo vetë është kritikuar si “bankomati i parave të errëta të së djathtës” dhe pjesë e rrjetit të aktivistit ligjor konservator Leonard Leo.
Hohn nuk është miliarderi i parë i huaj i akuzuar për ndërhyrje në politikën amerikane, si grupet liberale ashtu edhe ato konservatore janë vënë nën hetim për pranimin e fondeve të huaja.
Në fund, ky fisnik britanik mbetet një figurë enigmatike, një miliarder asket që dhuron pasuritë e tij, predikon qëndrueshmërinë, por akuzohet se po radikalizon fshehurazi politikën klimatike në SHBA.
Qoftë si filantrop vizionar apo si ndërmjetës i fuqishëm i huaj nën maskën e “gjelbër,” një gjë është e sigurt: paratë e tij kanë ndryshuar peizazhin e aktivizmit amerikan, dhe beteja për atë se kush do ta kontrollojë sapo ka filluar.
Marrë nga Daily Mail