KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Gjuha serbe përçan Malin e Zi
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Politike > Aktuale > Gjuha serbe përçan Malin e Zi
AktualeAnalizeOpinionPolitikeRajoniSociale

Gjuha serbe përçan Malin e Zi

Përditësimi i fundit: 6 Shkurt, 2026 11:04 am
277 Shikime
Share
9 Min. Leximi
SHARE

Çështjet e identitetit në Mal të Zi u hapën sërish.

Debati për gjuhën, shtetësinë dhe flamurin u nxit nga Partia Popullore Demokratike proserbe (DNP) e Milan Knezheviçit, në kohën kur Mali i Zi po shënon përparim në procesin e integrimit evropian.

Pikërisht për këto çështje, DNP-ja u largua nga Qeveria, ndonëse mbijetesa e saj nuk u vu në rrezik.

Qeveria e kryeministrit Millojko Spajiq vazhdon ta ketë shumicën parlamentare edhe pa DNP-në.

Nikolleta Gjukanoviq, ligjëruese në Universitetin Donja Gorica në Podgoricë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se nxitja e paqëndrueshmërisë politike dhe problematizimi i çështjeve të identitetit synojnë ta ndërlikojnë procesin e integrimeve evropiane.

“Mendoj se këtu bëhet më shumë fjalë për ndikim nga Beogradi, sesa për një nevojë reale që këto çështje të vendosen në plan të parë”, thotë ajo.

DNP-ja, e afërt me Beogradin zyrtar, doli nga Qeveria më 30 janar, pasi ajo nuk u deklarua për kërkesat e kësaj partie, në lidhje me çështjet e identitetit.

DNP-ja u largua edhe nga pushteti lokal në Podgoricë.

Ajo kërkon ndryshime kushtetuese për ta bërë gjuhën serbe gjuhë zyrtare, si dhe miratimin e Ligjit për Shtetësinë, i cili do të mundësonte shtetësi të dyfishtë pa të drejtë vote për personat që jetojnë në Serbi, por që janë me origjinë nga Mali i Zi.

Partia kërkon, gjithashtu, ndryshimin e rregullave për simbolet shtetërore, ashtu që flamuri trengjyrësh serb të shpallet flamur popullor dhe të përdoret krahas flamurit shtetëror të Malit të Zi.

Trengjyrëshi serb ishte i përcaktuar si flamur në Kushtetutën e Principatës së Malit të Zi të vitit 1905.

Çfarë treguan rezultatet e regjistrimit të popullsisë?

Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në tetor të vitit 2024, partitë proserbe në Mal të Zi ripërtërinë kërkesën e tyre që gjuha serbe të bëhet gjuhë zyrtare në këtë vend.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, gjuha malazeze është e përcaktuar si gjuhë zyrtare, ndërsa gjuha serbe është në përdorim zyrtar së bashku me gjuhën boshnjake, kroate dhe shqipe.

Rezultatet e regjistrimit treguan se gjuha serbe është gjuhë amtare për 43 për qind të popullsisë, ndërsa gjuha malazeze për pak më shumë se 34 për qind.

Sipas regjistrimit, 41.1 për qind e qytetarëve u deklaruan si malazezë, ndërsa 32.9 për qind si serbë.

Regjistrimit i parapriu një fushatë e forcave dhe mediave proserbe dhe proruse, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të deklarohen si serbë.

Pas publikimit të rezultateve, partitë proserbe në Mal të Zi kërkuan që gjuha serbe të shpallej gjuhë zyrtare.

Por, më pas, brenda koalicionit qeverisës u arrit një marrëveshje që çështjet e identitetit të mos hapen, për të mos penguar fazën përfundimtare të integrimeve evropiane.

Koalicioni qeverisës në Mal të Zi, aktualisht, përbëhet nga Lëvizja Evropa Tani, Demokratët e Malit të Zi, Partia Boshnjake, Demokracia e Re Serbe, Partia Popullore Socialiste, Alternativa Shqiptare dhe Forumi Shqiptar.

Pse u thirr në bisedë ambasadori i Serbisë?

Në të njëjtën ditë kur DNP-ja u largua nga Qeveria, Podgorica zyrtare thirri në bisedë informative ambasadorin e Serbisë, Nebojsha Rodiç, për shkak të një postimi lidhur me gjuhën serbe.

Në llogarinë “Serbia in English”, të cilën e menaxhon Zyra për Diplomaci Publike dhe Kulturore e Qeverisë së Serbisë, u tha se Mali i Zi “nuk e njeh gjuhën serbe”, të cilën e flasin 43 për qind e qytetarëve dhe është “gjuhë e shumicës sipas regjistrimit të fundit”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi e cilësoi këtë postim si një koment të papërshtatshëm për statusin e gjuhës serbe në vend.

Në reagim, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë tha se gjithçka ishte “keqinterpretuar”.

Sipas saj, postimi ishte bërë në një llogari joformale të një zyre qeveritare dhe “nuk kishte të bënte me rendin kushtetues apo juridik të Malit të Zi, por, me një dozë humori, synonte të theksonte faktin e njohur se gjuha serbe është pjesë e identitetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh në Mal të Zi”.

Ministria serbe vlerësoi se është “e habitshme” që një postim në rrjetet sociale të trajtohet si çështje ndërshtetërore.

Në krye të Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore të Qeverisë së Serbisë është Arno Gujon, zyrtar i Partisë Përparimtare Serbe, i cili, më herët, ka pasur lidhje me ekstremistët e djathtë në Francë.

Hapja e “temave të mbyllura”

Profesori në pension i Universitetit të Beogradit dhe ish-politikani, Zharko Koraç, thotë se Knezheviç, duke shfrytëzuar mbështetjen e plotë të Beogradit, përpiqet të arrijë një rezultat më të rëndësishëm politik në Mal të Zi.

“Tani është mjaft e qartë se Beogradi është shumë nervoz, sepse Mali i Zi është duke ecur shumë më shpejt drejt integrimeve evropiane, ndërsa Serbia e ka ndalur këtë rrugë mbi tre vjet më parë”, thotë Koraç për Radion Evropa e Lirë.

Mali i Zi konsiderohet lider në mesin e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga dhjetori i vitit 2021.

Duke folur për mediat proqeveritare në Beograd, Knezheviç mohoi të ketë kërkuar këshilla nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ose të ketë marrë udhëzime prej tij.

Ai deklaroi se serbët në Mal të Zi përballen me sfida për të realizuar të drejtat e tyre dhe se është e nevojshme një luftë institucionale për të arritur barazinë e plotë.

Sipas mediave malazeze, kryeministri Spajiç deklaroi më 29 janar se vendi për nismën dhe shqyrtimin e çështjes së gjuhës serbe, është Kuvendi i Malit të Zi.

Më 2 shkurt, DNP-ja dorëzoi në Kuvendin e Malit të Zi ndryshime të Ligjit për Simbolet Shtetërore dhe Ditën e Shtetit, duke propozuar përdorimin dhe ngritjen e flamurit historik popullor.

Ajo dorëzoi edhe amendamente për Ligjin e Shtetësisë.

Knezheviq paralajmëroi një bisedë me liderin e Demokracisë së Re Serbe (NSD), Andrija Mandiç, rreth veprimeve të mëtejshme të koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”.

Para bisedës, Knezheviq tha se është “paksa e çuditshme që një pjesë e koalicionit të jetë në pushtet, ndërsa tjetra në opozitë”.

Këtë koalicion e përbëjnë DNP-ja dhe NSD-ja.

“Në këtë moment, kryetari i Kuvendit, Mandiç, ka një ndikim shumë më të madh si përfaqësues i njërës prej partive serbe sesa Knezheviç”, vlerëson Koraç.

Cili do të jetë efekti i hapit të DNP-së?

Nikoleta Gjukanoviç thotë se partitë e koalicionit nuk kanë një qëndrim të përbashkët mbi çështjet e identitetit – pra kanë interesa të ndryshme ose të paktën rrugë të ndryshme për të arritur atë që duan.

“Nëse do të kishte një koordinim më të mirë mes DNP-së, partisë së Mandiçit dhe partive të tjera që kanë mbetur në qeveri, do të ishte një alarm jo vetëm për zgjedhjet e reja parlamentare, por edhe për situatën politike në përgjithësi”, thotë ajo.

Por, pasi që ky nuk është rasti, “mund të gjendet lehtësisht një zgjidhje për ta ruajtur këtë qeveri”, sipas saj.

Zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi pritet të mbahen në vitin 2027.

 

Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Investimet Publike me fondet e huaja: Rënia më e fortë që nga viti 2015

Informatori i CIA-s: “Fauci fshehu qëllimisht të vërtetën mbi origjinën e Covid-it”

Vijon kaosi me pronat, mbi 27 mijë vendime ende të paregjistruara

Inteligjencë Artificiale kundër plagjiaturës, Universiteti i Tiranës hap tenderin 5.9 mln lekë

Turi Çiklistik paralizon 5 ditë Tiranën

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Greqia dhe Turqia: Tensione të reja në Egje
Artikulli tjetër Tensionet në Arktik, Kanadaja hap konsullatën në Groenlandë

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Pse të specializuarit kanë më pak shanse në punë?
Aktuale Analize Kryesore Opinion Sociale 15 Maj, 2026
Bordi i Transparencës njofton çmimet e reja të karburanteve
Aktuale Analize Fokus Kryesore Sociale 15 Maj, 2026
Mesazhet zbulojnë punën e përditshme dhe dramat e një organizate ndërkombëtare të kokainës
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 15 Maj, 2026
Prangoset Marcel Liçaj, korrier i drogës në vendet e BE
Aktuale Fokus Kryesore Sociale 15 Maj, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.