Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Shqipëri, në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe tensione të larta politike. Në deklaratën e saj, organizata shpreh shqetësim për raportimet mbi dhunën ndaj protestuesve pas nisjes së tubimeve studentore më 13 tetor në Tiranë, duke kërkuar që qytetarëve t’u jepet një përgjigje konkrete për pakënaqësitë e ngritura.
IDU thekson se zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme, me garanci për pavarësinë e administratës zgjedhore, lirinë e medias dhe praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë ODIHR-in. Organizata kundërshton gjithashtu pretendimet se protestat janë nxitur nga ndërhyrje të huaja, duke argumentuar se shqetësimet e studentëve dhe qytetarëve duhet të trajtohen përmes dialogut dhe jo të shpërfillen.
Në reagimin e saj, organizata ndalet edhe te raportimet për përdorimin e plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe granatave trullosëse ndaj demonstruesve. Ajo u bën thirrje autoriteteve shqiptare të shmangin përdorimin e forcës së tepruar dhe kërkon hetime të pavarura e transparente për çdo rast të dyshuar të shkeljes së ligjit nga efektivët e policisë.
Marrë nga Dosja.al