Një raport i ri ndërkombëtar mbi shtetin e së drejtës, i publikuar nga World Justice Project (WJP), e rendit Shqipërinë në vendin e 91-të mes 143 shteteve.
Sipas analistit, shifrat tregojnë qartë realitetin e zymtë të vendit, ndërsa ka akuzuar qeverinë Rama se u përgjigjet kritikave me propagandë, në vend që të reflektojë mbi problematikat që evidentojnë raportet ndërkombëtare.
“Ku janë provat? Përse kritikoni? Jemi më mirë se kurrë. Po ia kalojmë edhe Gjermanisë. Ne bëjmë shtet. Po bëjmë histori. Askush më mirë se ne. Kjo është retorika standarde e zyrtarëve të mazhorancës, – një pjesë nga udhëzuesi me të cilin të gjithë duhet të prezantohen me video ose në debate televizive. Duhet ta mësojnë përmendësh dhe ta recitojnë sa herë ndeshen me kritika. Ky është ushqimi ditor për makinën propagandistike dhe militantët, përfshirë edhe mediat e paguara nga buxheti shtetëror dhe oligarkët”,- shkruan Krasniqi.
“Sic shihet nga tabela, Shqipëria ka rënie të lirë në të gjithë treguesit, duke u renditur në vendin e 91 në 143 shtete, pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut madje edhe Bosnjes. Serbia rivalizon me tregues negativ me Shqipërinë. Kroacia është shkëputur nga zona gri ballkanike dhe tashmë matet me standardet e vendeve të BE. Kur ka raporte të tilla, të hartuara nga grupe ekspertësh ndërkombëtarë dhe institucione prestigjioze çdo elitë politike dhe vendimmarrësit përgjegjës e analizojnë, e komentojnë, reflektojnë, marrin përgjegjësi dhe projektojnë masa përmirësuese reformatore për të ardhmen”,- shkruan Krasniqi.
Krasniqi ngre shqetësime edhe për propozimet e fundit të kryeministrit, të cilat i cilëson si një model ndëshkues ndaj atyre që kundërshtojnë qeverinë. Ai paralajmëron për rrezikun e kufizimit të të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe e krahason këtë qasje me praktikat autoritariste të Bjellorusisë.
Në përfundim, analisti thekson se Shqipëria ka nevojë për reforma demokratike, transparencë, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit. Ai kërkon shkëputjen nga modelet politike autoritariste, familjare dhe klienteliste, duke vënë në dukje nevojën për institucione funksionale dhe standarde të demokracisë e të shtetit të së drejtës të krahasueshme të paktën me ato të Kroacisë.