GJKKO mbajti të enjten seancën e radhës të dosjes “Partizani”, ku i pandehur është kreu i PD-së Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për korrupsion.
Avokatët e këtyre të fundit, kanë kërkuar që si dëshmitarë në këtë dosje, të thirret edhe kryeministri Edi Rama, kërkesë që mësohet se nuk është kundërshtuar nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas mbrojtësve ligjorë të Berishës dhe Malltezit, është Rama që ka bërë ndryshimin e destinacionit të klubit sportiv Partizani në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës, ndërsa theksojnë se për këtë çështje, kreu i qeverisë nuk është pyetur asnjëherë.
Ndërsa bëhet me dije se prokurorët e SPAK nuk e kundërshtuan kërkesën, por e lanë në dorë të gjykatës nëse Edi Rama do të japë dëshminë në çështje ku akuzohet rivali i tij kryesor politik.
Po ashtu, prokurorët i kërkuan GJKKO që të rrëzojë kërkesën e avokatëve të pandehurve, për pavlefshmëri të provave, e cila në thelb do të rrëzonte procesin.
“Kërkojmë që këto pretendime të mos merren parasysh dhe të rrëzohen”, mësohet të kenë thënë prokurorët.
Mësohet se në datën 15 prill, Gjykata e Posaçme do të marrë vendimin për kërkesat e avokatëve të Berishës dhe Malltezit.
Gjithashtu sot është mbajtur seanca e radhës, për heqjen e sekuestros të mbi 25 pasurive të Jamarbër Malltezi dhe bashkëshortes së tij Argita Malltezi.
Avokati Klodian Skënderi deklaroi se klienti i tij, Jamarbër Malltezi, për shkak të sekuestrimit të pasurive e ka të pamundur një jetesë normale.
Ndërsa vetë Malltezi raportohet se ka thënë në seancë se nuk ka mundësi të paguajë as avokatet, duke i cenuar të drejtën për një mbrojtje efektive dhe akses në drejtësi. Ndërsa këto fakte janë kundërshtuar nga Prokurorët e SPAK.
Marrë nga Newsbomb.al