Kongresmeni demokrat Bill Keating ka ngritur shqetësime në Kongresin amerikan lidhur me përfshirjen e personave të lidhur politikisht me administratën Trump në marrëveshje biznesi në Ballkanin Perëndimor. Gjatë fjalës së tij, Keating iu referua në mënyrë të drejtpërdrejtë Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump, duke thënë se ai po ndjek projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme në rajon, ndërkohë është i angazhuar edhe në çështje ndërkombëtare në emër të administratës amerikane.
Ai përmendi si shembull Jared Kushner, duke theksuar se, ndërsa Presidenti Trump e ka ngarkuar atë të negociojë me vende të ndryshme, përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, Kushner ka ndjekur paralelisht projekte të pasurive të paluajtshme në Ballkan. Deklaratat u bënë gjatë një seance në Kongresin amerikan ku u diskutuan zhvillimet politike dhe çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“Fatkeqësisht, ndërsa administrata Trump publikisht mbron stabilitetin rajonal, njerëz të lidhur politikisht, aktorë të jashtëm dhe miq të Presidentit po përdorin lidhjet e tyre me Shtëpinë e Bardhë për të ndjekur marrëveshje korruptive në Ballkanin Perëndimor, duke pasuruar veten dhe duke minuar sigurinë e SHBA-së. Dy shembuj të rëndësishëm lidhen me dhëndrin e Presidentit, Jared Kushner. Ndërsa Presidenti Trump e ka ngarkuar Kushnerin të negociojë globalisht me vende, përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, ai ka ndjekur marrëveshje miliarda dollarëshe në pasuri të paluajtshme, fillimisht në Serbi dhe tani në Shqipëri”, tha Keating.
Marrë nga Dosja.al