Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, u paraqit këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme. Nuk u thirr si i dyshuar. U thirr si kallëzues.
Në qendër është kallëzimi që ai ka depozituar ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë prej muajsh kundër kryeministrit Edi Rama.
Kallëzimi nuk kërkon vetëm efektivët në terren. Kërkon që të hetohet përgjegjësia e atyre që i drejtojnë.
Kapri e kishte paralajmëruar këtë hap në tetor, pasi publikoi pamjet e një sulmi ndaj tij para Kryeministrisë. Sipas tij, u godit me spraj nga një civil i maskuar që ndodhej pas kordonit të policisë. “Nëse guxuan të sulmojnë një deputet, imagjinoni çfarë u kanë bërë të rinjve”, deklaroi atëherë.
Rasti më i rëndë ka emër: Erjon Vishkulli. I riu u godit në syrin e majtë me një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit dhe u dërgua për operacion në Itali, me shpresën për të shpëtuar shikimin. Prokuroria e Tiranës nisi hetimin dhe sekuestroi kamerat dhe municionet.
Por deri sot, asnjë drejtues i Policisë nuk është thirrur të japë llogari publikisht.
Tani dosja është në SPAK. A do të hetohet zinxhiri komandues, apo përgjegjësia do të ndalet sërish te efektivi që tërhoqi këmbëzën?
Marrë nga Ngrihu.media