Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader u lirua me kush këtë të hënë nga burgu i Lipovicës. Sipas mediave të huaja mësohet se Gjykata e Qarkut Sisak pranoi kërkesën e tij për lirim me kusht ditën e enjte, ndërkohë që ai mundi të lërë qelinë vetëm mëngjesin e sotëm.
Një gazetar i HTV bëri me dije se Sander u lirua rreth orës 10:30 dhe në rast se shkel kushtet atëhere atij do t’i duhet të kthehet sërish në burg.
Ivo Sanader u dënua gjithsej me 18 vjet burg për tre raste, përkatësisht Fimi Media, Planinska dhe INA MOL, dhe deri më tani ka vuajtur rreth 11 vjet nga dënimi. Sipas ligjit kroat, pasi një i burgosur ka vuajtur 50 përqind të dënimit të tij, ai mund të kërkojë lirim me kusht, gjë që Ivo Sanader e ka bërë dhe mori “dritë jeshile” nga Gjykata.
USKOK, në cilësinë e prokurorit, beson se ekziston një rrezik shumë i vogël i një përsëritjeje të mundshme të veprës penale, duke marrë parasysh se Ivo Sanader është 72 vjeç dhe ka dalë në pension që nga viti 2011, dhe aktualisht nuk është në pozicionin që ishte në kohën e kryerjes së veprës penale.
Mandati i tij si Kryeministër i Kroacisë u shoqërua nga një sërë skandalesh financiare, por ai njihet gjithashtu për qetësimin e krahut të djathtë brenda HDZ-së dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me pakicën serbe në Kroaci.
Sanader dha dorëheqjen papritur nga posti i Kryeministrit në vitin 2009, por arsyet e këtij vendimi nuk janë bërë kurrë të qarta.
Marrë nga HTV.hr