Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar ndryshime në projektligjin për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. PD shprehet se ajo që ka prezantuar mazhoranca për projektligjin është një masë e pamjaftueshme.
Grupi parlamentar i PD në propozimin e tyre kërkojnë që gjobat për ndërtimet pa leje të hiqen për të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në zonat rurale. Gjithashtu kanë propozuar që të anullohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
“Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.”, janë edhe dy propozimet e tjera të PD.