Në të gjithë Evropën, të rinjtë po e vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nëse demokracia gëzon ende besimin e tyre.
Një sondazh i fundit tregon se më pak se gjashtë në dhjetë të rinj evropianë besojnë se demokracia është pa dyshim forma më e mirë e qeverisjes. Një në pesë do të preferonte sundim autoritar nën rrethana të caktuara, ndërsa brezi i ri i BE-së po e humb besimin tek rëndësia gjeopolitike e BE, thuhet në Studimi për Rininë 2025 të Fondacionit TUI.
Pas këtyre shifrave qëndron një zhgënjim në rritje, i nxitur nga rritja e kostos së jetesës dhe ankthi për të ardhmen.
“Të rinjtë janë të frustruar nga inteligjenca artificiale, por edhe nga pasiguria gjeopolitike, ndryshimet klimatike dhe shmangiet nga demokracia, veçanërisht në Evropën Lindore,” tha Ivan Radyk për DW në Sallën e Kurorëzimit në Aachen. I riu nga Ukraina po përfaqëson projektin e Austrisë në Çmimin Evropian Karli i Madh për të Rinjtë të këtij viti.
Megjithatë, ai thotë se “ka një nevojë të madhe për demokraci në Evropë, në Evropën në kuptim të gjerë, jo vetëm në BE.”
Është pikërisht ky qëllim që ka bashkuar 27 nisma të udhëhequr.
Çmimi me rëndësi të madhe për një Evropë “nën presion”
I organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Fondacioni Ndërkombëtar i Çmimit Karli i Madh, ky çmim thekson atë që organizatorët e quajnë “rojtarët e rinj të vlerave evropiane”. Si edicioni rinor i çmimit prestigjioz për unitetin evropian, ai vlerëson projekte të udhëhequra nga banorë të BE-së të moshës 16 deri në 30 vjeç. Që nga nisja në vitin 2008, ai ka përfshirë më shumë se 10,000 të rinj në të gjithë BE-në.
Urgjenca e këtij momenti ndihet përtej kufijve dhe brezave: “Demokracia është bërë një sistem që po kalon një test stresi. Ajo është nën presion,” tha Dr. Angela Maas, nënkryetare e bordit drejtues të fondacionit, për publikun gjatë dhënies së njërit prej tri çmimeve.
Si mbesa e një prej themeluesve origjinalë të Çmimit Karli i Madh Maas iu drejtua shumë të rinjve në sallë, duke e quajtur këtë festë rinore një nga momentet e saj më të veçanta personale.
Këtë vit u përzgjodhën 27 fitues nga secili vend anëtare nga mbi 530 aplikime, ndërsa juria evropiane zgjodhi tre fituesit kryesorë. Pjesëmarrësit u nderuan në Bashkinë historike të Aachenit, të ndërtuar mbi themelet e pallatit të Karlit të Madh — ndoshta hera e parë që në ish-qendrën e pushtetit të “babait të Evropës” jehon kënga “Let’s Get Loud” e Jennifer Lopez, e interpretuar nga një orkestër rinore me 50 anëtarë.
Nga aplikacionet për pjesëmarrje qytetare, tek gazetaria në rrjetet sociale apo “Pokémon Go për turizëm” në Luksemburg, i cili inkurajon të rinjtë të eksplorojnë vendin duke mbledhur vula digjitale: iniciativat bazohen në inovacion dhe kreativitet. Shumë prej tyre ndajnë një qëllim të përbashkët: të rilidhin të rinjtë e Evropës me politikën në një kohë kur besimi në institucione është veçanërisht i brishtë.
Marrë nga Dutsche Welle