Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ka paralajmëruar se Evropa duhet të zhvillojë modelet e veta të inteligjencës artificiale dhe të forcojë ndjeshëm infrastrukturën e saj të qendrave të të dhënave, për të shmangur një varësi të rrezikshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në një fjalim në Vjenë, Lagarde tha se kontinenti duhet të ndërtojë kapacitete dixhitale autonome, të afta për të përmbushur nevojat e ekonomisë evropiane.
Edhe sa i përket infrastrukturës kompjuterike, diferenca është e madhe. Shtetet e Bashkuara zotërojnë rreth 75% të kapacitetit kompjuterik botëror të ofruar nga qendrat e të dhënave, ndërsa Evropa vetëm rreth 5%. Sipas paralajmërimit të Lagarde, ky hendek mund të zgjerohet më tej gjatë dekadës së ardhshme nëse kontinenti nuk ndërmerr masa urgjente.
Rreziku bëhet edhe më i madh për shkak të rolit që inteligjenca artificiale pritet të ketë në ekonominë dhe jetën e përditshme. Sipas Lagarde, në vitet e ardhshme AI mund të përdoret për kontrollet doganore në kufij, për përgatitjen e deklaratave tatimore, organizimin e orareve të trenave, monitorimin e pacientëve në spitale dhe kryerjen e transaksioneve bankare. Në këto kushte, ndërprerja e aksesit në teknologjitë kryesore të AI-së ose ndryshimi i kushteve të përdorimit do të mund të shkaktonte pasoja të menjëhershme në sektorë të shumtë të ekonomisë evropiane. Varësia teknologjike, sipas presidentes së BQE-së, mund të kthehet gjithashtu në një mjet presioni në negociatat tregtare dhe ekonomike. Paralajmërimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së janë përballur me pasiguri të reja politike, përfshirë debatet për tarifat tregtare, pretendimet amerikane lidhur me Groenlandën dhe çështjet e sigurisë dhe angazhimit ushtarak.
Pavarësisht potencialit të inteligjencës artificiale për të rritur produktivitetin evropian me rreth 4% gjatë dekadës së ardhshme, Lagarde kërkon që Evropa të mos e shohë këtë teknologji vetëm si një mundësi ekonomike, por edhe si çështje të sovranitetit strategjik. Sipas saj, forcimi i kapaciteteve vendase në AI dhe ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme janë thelbësore që kontinenti të mos mbetet i pambrojtur përballë ndryshimeve të politikës dhe tregjeve globale.
Marrë nga Politico.eu