Këshilli i Ministrave ka vendosur të ngrejë një agjenci të posaçme e cila do të propozojë dhe japë pasaportë shqiptare për shtetas të huaj, kur cilësitë, aftësitë, rrethanat specifike tё dobishme, veprimtaria, private apo publike të tij vlerësohen tё tilla pёr shtetin shqiptar në një fushë të caktuar.
Agjencia Shtetërore e Posaçme e Shtetësisё do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për punët e brendshme dhe “Kërkues” do të jetë çdo shtetas i huaj, që paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror dhe që plotëson kriteret e parashikuara në këtë vendim, si dhe kushtet e përcaktuara në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar.
Ky vendim ka për objekt:
a) përcaktimin e procedurave të aplikimit dhe të ndërveprimit institucional, kushteve, kritereve, rrethanave, dokumentimit dhe vërtetimit të interesit shtetëror, si dhe rregullave specifike të kontrollit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës;
b) organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme tё Shtetёsisё.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Agjencia”, Agjencia Shtetërore e Posaçme e Shtetësisё, në varësi të ministrit përgjegjës për punët e brendshme;
b) “Interes i posaçëm shtetëror”, interesi i shtetit shqiptar për dhënien e shtetësisë shqiptare një shtetasi të huaj, kur cilësitë, aftësitë, rrethanat specifike tё dobishme, veprimtaria, private apo publike të tij vlerësohen tё tilla pёr shtetin shqiptar në një fushë të caktuar;
c) “Kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare”, kërkesa e paraqitur nga kërkuesi ose nga përfaqësuesi i tij me prokurë, sipas formatit të përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ç) “Kërkues”, çdo shtetas i huaj, që paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror dhe që plotëson kriteret e parashikuara në këtë vendim, si dhe kushtet e përcaktuara në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar;
d) “Vlerësim i interesit të posaçëm shtetëror”, procedura përmes së cilës ministri që mbulon fushën përkatëse identifikon, mbështet dhe garanton ekzistencën e një interesi të posaçëm shtetëror për dhënien e shtetësisë shqiptare një shtetasi të huaj, bazuar në cilësitë, aftësitë, rrethanat specifike tё dobishme, veprimtarinë private apo publike të tij në një fushë të caktuar;
dh) “Ministria përgjegjëse”, ministria që mbulon fushën në të cilën pretendohet dhe vlerësohet interesi i posaçëm shtetëror i kërkuesit;
e) “Familjarë të lidhur me kërkuesin”, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe fëmijët e mitur të kërkuesit, si dhe, kur kërkuesi është i mitur, prindërit e tij, përfshirja e të cilëve lidhet me procedurën e vërtetimit të ekzistencës së interesit të posaçëm shtetëror në favor të kërkuesit.
Marrë nga Newsbomb.al