Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Pejë ka nxitur reagime të ashpra qytetare në Prishtinë. Përmes një marshimi protestues me tymuese të kuqe dhe thirrje të fuqishme, dhjetëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe përgjegjësi direkte nga organet e rendit e të drejtësisë.
Grumbullimi nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vijoi drejt institucioneve kryesore; Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Policisë së Kosovës dhe ndërtesës së Qeverisë.
Përgjatë marshimit, protestuesit mbajtën pankarta me mesazhe goditëse kundër plogështisë institucionale, si “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”.
Ndër pikat më të tensionuara të protestës ishte ndalesa para Ministrisë së Drejtësisë, ku u kërkua zyrtarisht dorëheqja e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për dështim në trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Aksioni simbolik vazhdoi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit hodhën tymuese të kuqe dhe shkruan parulla në dyert e objektit ekzekutiv. Organizatorët kritikuan ashpër sistemin e drejtësisë për ndëshkimet e ulëta ndaj dhunuesve, duke deklaruar se “më shumë dënohesh po të vjedhësh një çokollatë në market sesa kur dhunon një grua”.
Marrë nga RTKlive.com