Pasi vizitoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në mjediset e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshkroi gjykatën e krimeve të luftës si “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare”.
Rama, i cili shpesh e ka kritikuar gjykatën e Hagës, e sulmoi atë përsëri në Facebook, duke pretenduar se Thaçi ishte “rrëmbyer pa gjyq”.
Ai e përshkroi ndalimin e Thaçit që nga nëntori i vitit 2020 si një ” padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë”.
Rama shkoi në qendrën e paraburgimit një ditë pas pjesëmarrjes së tij në një samit të Bashkimit Evropian me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Në postimin e tij në Facebook, ai iu referua Thaçit si “komandanti”, duke iu referuar rolit të tij si një zyrtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës.
” E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar”, tha Rama. Ai shtoi se kishte folur me Thaçin “për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë dhe Kosovën”, por edhe për librat që tha se ia kishte çuar Thaçit kur e vizitoi për herë të parë në qendrën e paraburgimit në maj 2022.
Thaçi u padit në tetor 2020. Ai dha dorëheqjen si president i Kosovës në nëntor 2020 për t’u përballur me akuzat dhe u dërgua në Hagë me ish-kryetarët e parlamentit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi. Ata kanë qenë në paraburgim që atëherë.
Të katër akuzohen për përgjegjësi individuale dhe komanduese për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, përfshirë vrasjen e rreth 100 personave. Të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por janë të vendosura në Hagë dhe përbëhen nga një staf ndërkombëtar për të siguruar procedura të drejta pas problemeve të kanosjes së dëshmitarëve në rastet e mëparshme të lidhura me UÇK-në. Shumë shqiptarë etnikë thonë se procedurat kanë qenë të padrejta ndaj të pandehurve.
Shumë dëshmitarë të prokurorisë kanë dëshmuar pas dyerve të mbyllura për të mbrojtur identitetin e tyre për shkak të frikës nga hakmarrja, por kjo ka çuar në akuza për mungesë transparence.
Një vendim për këtë çështje pritet në pranverën e vitit 2026.
Marrë nga Reporter.al