Qeveria amerikane po planifikon tarifa të reja doganore ndaj Bashkimit Evropian dhe 13 partnerëve të tjerë tregtarë, duke i justifikuar ato me kapacitete të tepërta strukturore në industri. Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së i njoftoi masat pas përfundimit të një hetimi tetëmujor mbi praktikat e padrejta tregtare.
Sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane nga planet pritet të preken përveç BE-së, edhe vende si Zvicra, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut. Për BE-në do të respektohet një kufi maksimal prej 15 për qind për tarifa doganore, i përcaktuar në një marrëveshje tregtare mes dy palëve.
Zyrtari tha se tarifat e reja nuk do të hyjnë në fuqi para janarit 2027. Deri atëherë do të zhvillohen dëgjesa publike, gjatë të cilave do të mund të paraqiten komente dhe kundërshtime.
Kina pritet të përballet me tarifat më të larta
Uashingtoni i akuzon partnerët e prekur prej tarifave doganore se ndër të tjera nxisin përmes subvencioneve shtetërore prodhimin përtej kërkesës reale të tregut, duke dëmtuar tregtinë amerikane. Tarifat më të larta pritet të vendosen ndaj Kinës, të cilën SHBA-ja e konsideron përgjegjëse kryesore për përmbytjen e tregjeve botërore me eksporte me çmime të ulëta.
Për mallrat kineze parashikohet një tarifë shtesë prej 20 për qind, e cila do t’u shtohej tarifave prej rreth 25 për qind të vendosura gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.
Komisioni Evropian e hedh poshtë argumentimin e SHBA-së
Komisioni Evropian e kundërshtoi ashpër arsyetimin e Uashingtonit për tarifat e reja. “Pretendimin se Europa është shkaktare e kapaciteteve të tepërta strukturore e hedhim poshtë me vendosmëri”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit.
Ai theksoi se edhe me tarifat e reja SHBA-ja duhet t’i përmbahet marrëveshjes tregtare të arritur mes palëve vitin e kaluar.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ra dakord vitin e kaluar me presidentin amerikan Donald Trump që SHBA-ja të mos e rrisë normën e përgjithshme të tarifave për produktet nga BE-ja mbi 15 për qind. Përjashtim bëjnë tarifat e posaçme për produktet e çelikut dhe të aluminit, të cilat mbështeten në një bazë tjetër ligjore.
Marrë nga Deutsche Welle