Kryeministri Edi Rama ka hedhur një deklaratë të fortë gjatë një takimi me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, duke pretenduar se në protestën e fundit u tentua të provokohej një tjetër “21 Janar” dhe se autoritetet kanë neutralizuar një sulm me dron me eksploziv ndaj godinës së Kryeministrisë. Kjo deklaratë ka rikthyer menjëherë në vëmendjen e opinionit publik një prej paralelizmeve më ironike të historisë politike shqiptare, duke treguar se si ndryshimi i karriges nga opozitë në pushtet ndryshon edhe narrativën e liderëve përballë revoltave qytetare.
Paralelizmi mes dy deklaratave dëshmon për një strategji të pandryshuar të pushtetit në Shqipëri, pavarësisht emrit të atij që ulet në zyrë. Si Berisha në 2011, ashtu edhe Rama sot, tentojnë t’i zhveshin protestat nga kauza e tyre sociale duke i faturuar ato si skenarë të errët agjenturorë apo kriminalë. Pasi u akuzua nga opinioni publik dhe media për dhunë disproporcionale, Rama përdori kërcënimin me dron si mburojë për të ligjëruar forcën e policisë, ekzaktesisht siç vepronte Berisha duke mbrojtur Gardën me pretendimin se institucionet ishin nën sulm të armatosur. Po ashtu, sulmi ndaj mediave mbetet i njëjtë, ku Rama sot akuzon ekranet se po kthejnë vandalët në heronj, ndërsa Berisha në vitin 2011 i quante televizionet pjesë të strukturës së puçit.
Në vitin 2011, Edi Rama tallte dhe ironizonte skenarët e Berishës me çadra e thika, duke i quajtur ato trillime të një pushteti të trembur. Sot, fakti që vetë Rama detyrohet të prodhojë narrativa me dronë me eksploziv për të menaxhuar krizën e tij politike, tregon se gjuha e pushtetit në Shqipëri nuk njeh ngjyra politike por thjesht riciklohet sa herë që liderët gjenden përballë pakënaqësisë popullore.
Marrë nga Gazeta “Sot”