Vetëm dy ditë pas miratimit të vendimit për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar në përballimin e protestave, qeveria ka ndërhyrë sërish, duke zgjeruar numrin e efektivëve përfitues dhe duke shtuar fondet e vëna në dispozicion për këtë qëllim.
Me një vendim të ri, Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin nr. 787, datë 19 tetor 2026, duke e rritur numrin e punonjësve të policisë që do të përfitojnë shpërblim nga 2 750 në 2 821 efektivë.
Kjo do të thotë se 71 punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit janë përfshirë në listën e përfituesve, vetëm 48 orë pas miratimit të vendimit fillestar.
Paralelisht me zgjerimin e numrit të përfituesve, qeveria ka miratuar edhe rritjen e fondit buxhetor për shpërblimet.
Sipas vendimit të ri, fondi i parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme rritet nga 740.08 milionë lekë në 759.19 milionë lekë.
Nga përllogaritja e fondit total në raport me numrin e përfituesve, rezulton një mesatare prej rreth 269 mijë lekësh për efektiv, pasi përgshihen edhe taksat.
Vendimi vjen në një moment kur Policia e Shtetit është përballur me një angazhim të shtuar për shkak të protestave të ditëve të fundit, të cilat janë shoqëruar me tensione, përplasje dhe akte dhune në kryeqytet.
Marrë nga Ekofin.al