Reforma Territoriale ka shërbyer si burim debatesh dhe përplasjesh të vazhdueshme mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Këtë të martë, Partia Demokratike zhvilloi një tryezë dhe takim të hapur në kuadër të Reformës Territoriale, duke sjellë në fokus problematikat e saj, dhe njëkohësisht duke paraqitur edhe propozimet e tyre.
Kryedemokrati Sali Berisha e kritikoi ashpër qeverisjen e PS-së, duke e cilësuar reformën si një “shkatërrim” të qeverisjes vendore. Sipas Berishës, mënyra se si është zbatuar reforma ka dobësuar përfaqësimin lokal, ka krijuar vështirësi në ofrimin e shërbimeve dhe ka dëmtuar zhvillimin e vendit, duke nxitur një debat të hapur mes dy partive për pasojat e saj.
Berisha propozoi që në Shqipëri të kthehen komunat aty ku ka më shumë se 1300 banorë. Po ashtu, Berisha ka kërkuar të krijohen rajone dhe bashki të reja sipas numrit të popullsisë. Kryedemokrati shprehet se harta duhet që të bazohet në kritere shkencore, demografike, ku sipas tij, të ketë dy parime: shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit.
“Franca numëron 36 mijë komuna, potenciali më i madh bujqësor i Europës, dhe ka komuna me 1500 banorë. Ndaj dhe ne duhet të rikthejmë me përparësi në zonat kodrinore malore shërbimet dhe komunat si thirrja dhe mundësia e fundit për të mos i përjashtuar nga territori. Duhet të përcaktohet numri i banorëve për bashkitë në qytetet satelite të qyteteve të mëdha. Duhen të rikthehen bashkitë apo komunat, sido që të jetë termi. Kamza është qyteti i gjashtë në Shqipëri sipas censusit të 2011. Duhet të krijohen bashkitë në mënyrë që aty ku është e mundur. 110 mijë banorë ka Sukthi, tani është i shuar. Sukthi është dy herë sa Shijaku për numër banorësh, por për Edi Ramën nuk ka rëndësi. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për një hartë që duhet të bazohet në kritere shkencore, demografike ku të ketë dy parime: shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit. Ne i qëndrojmë rajoneve. Duhet të jenë me të gjithë kapacitetet për t’iu përgjigjur Europës së rajoneve. Sot ne përcaktojmë parimet, por duhet bërë një debat i gjerë në të gjithë territorin që të dalim me skemën përfundimtare. Komisioni ka përpunuar disa variante, nuk kemi një përfundimtar sot. Ai do të dalë pas një debati që do bëhet në shkallë kombëtare”, tha Berisha.
Demokratët argumentojnë se ndarja e re është ndikuar nga interesa politike dhe elektorale, duke sjellë pabarazi në përfaqësim dhe organizim administrativ. Sakaq, PD ka propozuar rritjen e numrit të bashkive, edhe nëse do pranohej ulja e numrit të qarqeve deri në 8 nga 12 që janë, me qëllim që të mbulohet territori me institucione shtetërore për t’i shërbyer qytetarëve, pra një hartë të plotë institucionale dhe territoriale.
Sipas bashkëdrejtuesit të PD-së në komisionin e posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, më shumë bashki do t’i jepnin pushtet real njësive vendore.
Propozimet kryesore të PD-së për ndarjen e re të territorit:
-të rritet numri i bashkive
-rikthimi i komunave në zonat malore
-ndarjen e vendit në jo më shumë se 8 rajone (zëvendsimi për 12 qarqet aktuale)
Në anën tjetër, disa ditë më parë, edhe Partia Socialiste prezantoi 4 skenarët fillestarë mbi të cilët duhet të punohet për ndarjen e re territoriale.
4 skenarët:
Skenari 1 — Konsolidimi Funksional: bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues. Avantazhi: zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues.
Rreziku: Mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.
Skenari 2 — Konsolidim dhe Decentralizim: bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt. Avantazhi: dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfisht dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse.
Rreziku: Konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.
Skenari 3 — Forcimi i Qarkut: ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë — funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë. Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi — shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian.
Rreziku: Kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.
Skenari 4 — Rajonet Strategjike: bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së. Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore.
Rreziku: Tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë.
Reforma territoriale mbetet një çështje kyçe për organizimin administrativ të vendit dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kompromiset mes partive në tavolinë, do të vendosin formën përfundimtare të ndarjes së bashkive.
Marrë nga Zëri.al