Rreth 10% e rumunëve zotërojnë afërsisht 58% të pasurisë totale neto në vend, sipas një raporti të ri nga Banka Kombëtare e Rumanisë (BNR).
Në përgjithësi, pasuria neto e rumunëve vazhdoi të rritet dhe ka arritur afërsisht dyfishin e të ardhurave bruto të disponueshme (TM4/2023).
Pasuria neto e popullsisë, llogaritet si vlera totale e aseteve jofinanciare dhe financiare të mbajtura nga rumunët, minus borxhet e tyre.
“Bilanci i sektorit familjar mbetet i qëndrueshëm, duke pasur një prirje të dukshme drejt diversifikimit të metodave të investimit.
Pasuria neto e popullsisë është afërsisht sa dyfishi i të ardhurave bruto të disponueshme (TM4/2023), duke theksuar rëndësinë e saj për burimet ekonomike të popullsisë dhe për elasticitetin gjatë periudhave të stresit.
Sidoqoftë, pabarazitë mbeten të rëndësishme për sa i përket pasurisë, duke qenë se 10% e popullsisë zotëron rreth 58% të pasurisë totale neto”, thotë BNR-ja në edicionin e fundit të Raportit të Qëndrueshmërisë Financiare.
Pasuria financiare e popullsisë u rrit me një ritëm të qëndrueshëm gjatë gjithë periudhës pas pandemisë, e nxitur nga investimet e grumbulluara në instrumente si fondet e pensioneve (+31% në TM4/2023 kundrejt TM4/2022), letrat me vlerë (+40% në TM4 /2023 kundrejt T4/2022), dhe aksionet e listuara (+28% në TM4/2023).
Pjesa më e rëndësishme e portofolit të aseteve financiare të rumunëve, vazhdon të përfaqësohet nga asetet likuide dhe më pak të rrezikshme, përkatësisht paratë e thata dhe depozitat, të cilat vazhduan të ishin në nivelin 35% në TM4/2023, edhe pse duke shënuar një rënie nga shifra 43% pesë vite më parë.
Nga ana tjetër, pesha e zotërimeve familjare në fondet private të pensioneve është në rritje, duke arritur në 11% të totalit të aseteve financiare në TM4/2023, kundrejt 9% në TM4/2018, sipas të dhënave nga BNR-ja.