Testamenti është i vetmi akt juridik, i cili hartohet gjatë gjallërisë së një personi, por efektet juridike fillojnë pas ndërrimit të jetës së trashëgimlënësit.
Ai është edhe një formë “amaneti” i trashëgimlënësit, për të disponuar pasuritë atje ku ai dëshiron, sipas pjesëve që përcakton, arsyeve që dëshiron të listojë, por edhe në mënyrën dhe sipas ndarjes dhe kushteve që ai përcakton.
Mbi 60% e konflikteve në gjykatë i zënë çështjet e pronësisë, bashkëpronësisë, trashëgimisë, pavlefshmëri të testamentit ose/dhe të dëshmisë së trashëgimisë, etj. Gjithashtu vërehet se konfliktet në gjykatë për çështjet e pronësisë po zhvillohen midis të afërmve dhe familjarëve, përkatësisht, prind – fëmijë, vëllezër-motra, si dhe të afërm të tjerë në lidhje gjaku ose në lidhje juridike, siç janë bashkëshortët.
Shqipëria ishte i vetmi vend i bllokut socialist që me kushtetutën e 1976, ndaloi pothuajse 100% pronën private. Edhe ligjet pas viteve 90- të, siç ishte ligji 7501 dhe në pas në vitin 1993 ligji për kthimin dhe kompensimin e ish pronarëve, nuk e bëri më të lehtë tranzicionin e pronave. Madje ata kanë ndryshuar plot 130 herë.
‘Dhe në këtë aspekt jemi unik sepse ne fillimisht ndamë tokat tek kryefamiljarët për ti përdorur dhe më pas ajo që mbeti mund tu jepej ish-pronarëve, ndërsa vendet e tjera iu dha njëherë toka ish pronarëve dhe më pas iu dha atyre që e punon tokën’ u shpreh noterja, Elona Saliaj.
Në vitin 94 në kodin civil u saktësua trashëgimia që ndahet në dy pjesë: trashëgimi e përfituar nëpërmjet testamentit dhe trashëgimia ligjore që aplikohet në të gjitha rastet kur nuk ka testament.Në këto raste ligji përcakton, sipas një radhe të caktuar se si do të ndahet pasuria.
‘Kodi civil është shumë i mirë, por zbatimi gjithë këto vite i ndryshëm si nga gjykatat dhe noterët ka sjellë pasiguri tek qytetarët dhe në çdo rast ta kontestojnë testamentin’ u shpreh noterja, Elona Saliaj.
Marrë nga Top Channel