Në përgjigje të protestave të dhunshme të zhvilluara gjatë muajit tetor, Këshilli i Ministrave miratoi dy akte normative që ndryshojnë rregullat për organizimin e tubimeve dhe përcaktojnë një skemë të re për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave. Por, përtej argumentit të qeverisë për garantimin e rendit publik, ndryshimet ngrenë pikëpyetje serioze mbi respektimin e lirisë së tubimit dhe kufijtë e kompetencave të Policisë së Shtetit.
Akti normativ nr. 5 ndryshon ligjin për tubimet, duke i dhënë policisë kompetenca të reja për të ndaluar paraprakisht protesta, për të larguar qytetarë nga zona të përcaktuara si të mbrojtura dhe për të vendosur gjoba që arrijnë deri në 500 mijë lekë. Akti nr. 6 përcakton mekanizmin e kompensimit të dëmeve të shkaktuara gjatë protestave të 13–22 tetorit, duke parashikuar edhe përgjegjësi financiare solidare për organizatorët.
Avokatja Dea Nini i sheh aktet në raport me standardin kushtetues. Sipas saj, Kushtetuta u kërkon qytetarëve vetëm ta njoftojnë policinë për një protestë, ndërsa aktet i japin policisë kontroll paraprak mbi to, një kufizim që sipas nenit 17 mund të vendoset vetëm me ligj të Kuvendit dhe vetëm në përpjesëtim me qëllimin.
Avokatja Irena Dule ndalet te mënyra si do të funksionojnë dispozitat në praktikë. Për të, aktet nuk i drejtohen vetëm dhunës, por zhvendosin protestat larg institucioneve ku merren vendimet dhe e ngarkojnë organizatorin me dëmet e të tjerëve, duke e kthyer thirrjen për protestë në një rrezik financiar.
Policia me kompetenca të reja, protesta nën rrezikun e ndalimit paraprak
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të aktit nr. 5 është kompetenca që i jepet drejtuesit të policisë vendore, me miratimin e prefektit, për të ndaluar tubimet në një perimetër pranë institucioneve shtetërore, arsimore dhe shëndetësore për një periudhë deri në 72 orë. Ndalimi mund të rinovohet edhe një herë, duke arritur deri në gjashtë ditë.
Për Dea Ninin, kjo përbën një ndryshim thelbësor në mënyrën se si garantohet liria e tubimit në Shqipëri, pasi policia fiton mundësinë të ndërhyjë përpara zhvillimit të protestës, në vend që të reagojë ndaj shkeljeve konkrete gjatë saj.
Nini kujton se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 24, datë 4 maj 2021, shfuqizoi kërkesën për marrjen e lejes paraprake për organizimin e një proteste, duke vlerësuar se ajo binte ndesh me Kushtetutën.
“Sipas Kushtetutës, qytetarët që organizojnë një protestë kanë detyrim vetëm ta njoftojnë policinë, jo të kërkojnë leje prej saj. Akti normativ i jep policisë kompetencë kontrolli paraprak mbi protestat, çka, në një konsideratë të parë, shkon kundër këtij standardi”, argumenton Nini, duke ngritur pikëpyetje mbi përputhshmërinë e këtij mekanizmi me standardin kushtetues.
Edhe Irena Dule vlerëson se mënyra se si është përcaktuar perimetri i ndalimit krijon hapësirë të gjerë interpretimi.
“Perimetri nuk ka kufi të qartë. Akti thotë vetëm se nuk mund të përfshijë gjithë bashkinë, por në Tiranë kjo do të thotë se mund të ndalohet gjithë qendra”, argumenton avokatja Irena Dule.
Një tjetër problem, sipas Dules, është mungesa e kontrollit të pavarur përpara hyrjes në fuqi të ndalimit.
“Vendimin e merr policia me miratimin e prefektit, pra pa asnjë kontroll të pavarur paraprak. Dhe ankimi nuk e pezullon ndalimin. Gjykata ka 48 orë afat për të marrë vendim, ndërsa ndalimi zgjat 72 orë. Edhe nëse do të kishim vendim pozitiv, protesta mund të ketë humbur kuptimin”, shpjegon Dule.
Kompetencat e policisë zgjerohen edhe përmes krijimit të të ashtuquajturave “zona të mbrojtura”, prej të cilave çdo punonjës policie mund të urdhërojë largimin e një personi deri në 48 orë.
“Deri tani zonat e mbrojtura i njihnim nga ligji për biodiversitetin: parqe kombëtare, laguna, flamingot e Divjakës. Tani, si për ironi, në vazhdim të protestave të Flamingove, i gjejmë edhe në ligjin për tubimet”, shprehet Dule.
Për të, zonat e listuara si zona të mbrojtura, si stacionet, aeroportet, portet, shkollat, spitalet dhe monumentet, janë vende ku ka kuptim të mbrohen njerëzit që kalojnë aty. Por problemi, sipas avokates Dule, është shkronja “c”.
“Ajo i lejon këshillit bashkiak të shpallë zonë të mbrojtur çdo vend ku janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës. Pyesni veten: ku janë dokumentuar më shumë incidente gjatë protestave? Jo te stacionet apo shkollat, por para Kryeministrisë, Bashkisë, Kuvendit, Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Infrastrukturës. Pikërisht te institucionet ku merren vendimet dhe ku drejtojnë ata që i hartuan këto akte. Pa e thënë hapur, dispozita të çon aty”, argumenton Dule.
Ndryshe nga ndalimi i përkohshëm i tubimeve, këto zona nuk kanë një afat të përcaktuar. Për Dulen, krijohet kështu një paradoks.
“Sa më shumë protesta të ketë pasur para një institucioni, aq më e lehtë është ta shpallësh zonë të mbrojtur. Pra, historia e protestave bëhet arsye për t’i larguar protestuesit nga vendi ku protestohet më shumë”, analizon avokatja Irena Dule.
Sipas Dules, vendi ku mbahen protestat është shpesh vetë mesazhi.
“Një protestë kundër qeverisë mbahet para Kryeministrisë, sepse aty i drejtohet. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), në çështjen Lashmankin dhe të tjerët kundër Rusisë, ka thënë se organizatorët kanë të drejtë të zgjedhin vendin dhe se kufizimet e përgjithshme për zonat pranë institucioneve janë të vështira për t’u justifikuar. Një institucion që mbrohet nga protesta që i drejtohet atij nuk po mbrohet nga dhuna, por nga kritika”, argumenton Irena Dule.
Shqetësime ngre edhe rritja e gjobave, të cilat në raste të caktuara arrijnë deri në 500 mijë lekë. Dule sqaron se kjo shumë lidhet me mosbindjen ndaj urdhrit të policisë për heqjen e mbulesës së fytyrës, ndërsa një nga dispozitat më problematike është gjoba deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrjen në një tubim të ndaluar.
Sipas saj, marshimi në rrugë është një mënyrë e zakonshme e ushtrimit të lirisë së tubimit dhe pengimi i trafikut mund të jetë një pasojë e pashmangshme e tij.
Dule sjell në vëmendje çështjen “Oya Ataman kundër Turqisë”.
“GJEDNJ, në çështjen Oya Ataman kundër Turqisë, ka thënë se autoritetet duhet të tolerojnë pengesat e zakonshme që sjell një tubim paqësor, ndërsa detyra e shtetit është të devijojë trafikun, jo të gjobisë marshuesit. Dhe gjoba është e njëjtë si për pesë minuta, ashtu edhe për gjithë ditën, pa asnjë vlerësim proporcionaliteti”, thekson Dule.
Për Dulen, akti i dytë duket se i zbaton gjobat e reja edhe për arrestimet e protestave të kaluara. “Këtu kemi dënim me efekt prapaveprues, gjë që Kushtetuta e ndalon shprehimisht”, shprehet ajo.
Sipas Dea Ninit, neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) garantojnë lirinë e tubimit paqësor.
“Në bazë të nenit 17 të Kushtetutës, kjo liri mund të kufizohet vetëm me ligj, vetëm për një interes publik dhe vetëm në përpjesëtim me qëllimin që e ka diktuar. Neni 17 ndalon çdo kufizim që cënon thelbin e së drejtës ose që shkon përtej kufizimeve të lejuara nga KEDNJ”, argumenton Nini.
Përtej gjobave, akti i jep policisë mundësi të identifikojë llogari në rrjetet sociale, adresa elektronike dhe numra telefoni të personave që përhapin thirrje për dhunë në lidhje me një tubim, pa pasur nevojë për një vendim gjykate. Kjo, së bashku me mundësinë e urdhrit të largimit nga zonat e mbrojtura, shton shqetësimet për sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave individuale.
Dea Nini vlerëson se përdorimi i shprehjeve të paqarta si “rrezik real” apo “ngacmim i përsëritur” krijon pasiguri për qytetarët.
“Në këto kushte, qytetari gjendet në një situatë pasigurie juridike, pasi nuk mund ta dijë paraprakisht cila sjellje do të ndëshkohet. Ndalimi i protestave rreth institucioneve shtetërore prek edhe protestuesit paqësorë, për shkak të rrezikut që mund të vijë nga të tjerët”, argumenton Dea Nini.
Përgjegjësia e organizatorëve dhe rreziku financiar i protestës
Një nga dispozitat më të debatueshme të aktit nr. 6 lidhet me përgjegjësinë financiare të organizatorëve për dëmet e shkaktuara gjatë protestave.
Sipas Irena Dules, kjo është dispozita më shqetësuese, pasi akti parashikon që shteti të kompensojë bizneset e dëmtuara dhe më pas t’ua kërkojë shumën personave përgjegjës.
“Deri këtu, në rregull. Por më pas shton se organizatori i protestës përgjigjet solidarisht, pa kërkuar asnjë provë që ai e ka nxitur apo urdhëruar dhunën”, shpjegon ajo.
Sipas Dules, në këtë pikë një organizatë mund të paditet për gjithë shumën vetëm pse e thirri protestën.
“Kjo bie ndesh me parimin bazë të përgjegjësisë civile, por edhe me vetë aktin, i cili në nenin 2 thotë se nuk ndryshon rregullat e Kodit Civil”, thotë avokatja Dule.
Për Ninin, nëse organizatorët do të detyroheshin të paguanin për dëmet e të tjerëve, organizimi i një proteste do të rrezikonte kosto financiare të papërballueshme.
“Një rregullim i tillë do të cenonte thelbin e lirisë së tubimit, në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës dhe nenin 11 të KEDNJ”, shprehet Nini.
Irena Dule paralajmëron se një mekanizëm i tillë mund të prodhojë pasoja të kundërta me qëllimin e deklaruar të qeverisë. Nëse organizatorët rrezikojnë të paguajnë për çdo dëm të shkaktuar nga persona të panjohur, organizatat dhe grupet qytetare mund të tërhiqen nga organizimi formal i protestave.
“Protestat nuk do të pushojnë, por do të bëhen pa organizator, pa njoftim, pa një person kontakti me policinë, pikërisht ato protesta që menaxhohen më me vështirësi dhe ku rreziku i dhunës është më i madh”, argumenton ajo.
Avokatja vë në dukje edhe kufizimet e skemës së kompensimit, e cila mbulon vetëm bizneset me qarkullim deri në 14 milionë lekë.
“Një qytetar të cilit i dëmtuan makinën, nëse nuk është biznes, nuk merr asgjë. Dhe kush vendos nëse dëmin e bënë protestuesit? Policia, e njëjta strukturë që ishte në terren gjatë përplasjeve. Nëse dëmi erdhi nga ndërhyrja e policisë, biznesi nuk kompensohet”, shpjegon Dule.
Një tjetër problem, sipas avokates Dule, është se skema zbatohet për protestat e 13–22 tetorit, pra për ngjarje të ndodhura përpara miratimit të aktit normativ.
Për të dyja avokatet, rreziku më i madh i kësaj pakete është se ajo nuk bën një dallim të mjaftueshëm mes personave që kryejnë akte dhune dhe qytetarëve që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës.
Mungesa e urgjencës dhe rruga drejt Gjykatës Kushtetuese
Përveç përmbajtjes së dispozitave, vetë mënyra se si u miratuan aktet normative nr. 5 dhe nr. 6 ngre pikëpyetje kushtetuese.
Sipas avokates Dea Nini, neni 101 i Kushtetutës i lejon Këshillit të Ministrave të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit vetëm në raste nevoje dhe urgjence, për marrjen e masave të përkohshme. Aktet duhet t’i paraqiten menjëherë Kuvendit dhe humbasin fuqinë që nga fillimi nëse nuk miratohen prej tij brenda 45 ditëve. Sipas saj, ligji ekzistues për tubimet u jepte tashmë autoriteteve kompetencat për të ndaluar dhe shpërndarë tubime të rrezikshme.
“Në këtë rast nuk kishte urgjencë, sepse nenet 8 dhe 9 të ligjit ‘Për tubimet’ i jepnin policisë të drejtën të ndalonte dhe të shpërndante tubimet e rrezikshme. Neni 17 i Kushtetutës kërkon që liria e tubimit të kufizohet me ligj të miratuar nga Kuvendi, jo me një akt të qeverisë të miratuar pa debat”, shpjegon Nini.
Edhe Irena Dule thekson se këto dy akte nuk plotësojnë asnjë nga kushtet e nenit 101 të Kushtetutës, sipas të cilit urgjenca duhet të jetë reale.
“Nuk ka as nevojë, as urgjencë. Aktet u miratuan gjashtë ditë pas datës së fundit të protestave që synojnë të rregullojnë. Nëse situata lejonte një pritje prej gjashtë ditësh, ajo lejonte edhe procedurën e përshpejtuar në Kuvend, ku qeveria ka shumicën”, shprehet Dule.
Sipas saj, ndryshimet në ligjin për tubimet kanë karakter të përhershëm dhe jo të përkohshëm. Kompensimi, nga ana tjetër, sipas avokates Dule, nuk është çështje që s’pret, sepse ekzistojnë Kodi Civil, sigurimet dhe gjykatat.
“Më 21 janar 2011, në të njëjtin bulevard, nuk u dëmtuan vetëm prona, por humbën jetën katër njerëz. Edhe atëherë përgjegjësia u kërkua përmes procedurave gjyqësore, jo përmes një akti normativ që e ngarkon organizatorin e protestës me dëmet e të tjerëve. Dhe është paradoksale që ky mekanizëm vjen sot nga një qeveri e drejtuar nga organizatori i asaj proteste”, argumenton Dule.
Për avokaten, këto mangësi tregojnë nxitimin me të cilin është hartuar një paketë që prek drejtpërdrejt një të drejtë themelore.
Sipas Dea Ninit, kundërshtimi i aktit normativ mund të bëhet përmes disa rrugëve.
“Kuvendi mund ta rrëzojë aktin normativ duke mos e miratuar brenda 45 ditëve. Sipas nenit 134 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, Kryeministri, një e pesta e deputetëve dhe Avokati i Popullit mund t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e aktit normativ pa pasur nevojë të provojnë një interes të veçantë”, argumenton Nini.
Sipas Ninit, edhe organizatat dhe individët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, nëse provojnë se aktet prekin interesat e tyre. Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit mund të vendosë edhe pezullimin e zbatimit të aktit normativ deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
“Pas shterimit të mjeteve të brendshme, çdo person i prekur apo subjekt i legjitimuar mund t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, përfundon Nini.
Për avokaten Irena Dule, këto akte tregojnë një punë juridike të papjekur.
“Një akt që i referohet një ligji që nuk ekziston. Një akt që në nenin 2 thotë se nuk prek Kodin Civil, dhe në nenin 5 e ndryshon. Që e dallon organizatorin nga ai që urdhëron dhunën, dhe pastaj fajëson të parin. Që duket se vendos gjoba të reja për ngjarje që ndodhën para se këto gjoba të ekzistonin. Këto nuk janë gabime që i bën një jurist që e di çfarë po shkruan. Ose janë shkruar me një nxitim të papranueshëm, ose janë shkruar për një qëllim tjetër nga ai që deklarohet”, argumenton avokatja Irena Dule, e cila shton se në të dyja rastet kjo nuk është mënyra si ligjërohet mbi një të drejtë themelore.
Debati që hapin këto dy akte nuk lidhet vetëm me mënyrën se si shteti duhet të reagojë ndaj dhunës gjatë protestave, por edhe me kufirin mes garantimit të rendit publik dhe kufizimit të kritikës qytetare.
Siç argumentojnë avokatet, shteti ka detyrimin të parandalojë dhe ndëshkojë dhunën, por kjo nuk mund të bëhet duke e kthyer ushtrimin e lirisë së tubimit në një rrezik financiar, administrativ dhe juridik për qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore.
Marrë nga Citizens.al