Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit, të dyshuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Efektivët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet A. S., 20 vjeç, me gradën inspektor, dhe Xh. F., 23 vjeç, gjithashtu me gradën inspektor. Të dy ishin pjesë e shërbimeve të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet.
Arrestimi është kryer në vijim të veprimeve hetimore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Dy punonjësit dyshohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
AMP bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Agjencia thekson se mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit nga punonjësit e strukturave policore, duke deklaruar se do të reagojë ndaj çdo rasti që cenon integritetin e uniformës dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.
Marrë nga Balkanweb.com