Konsumatorët që furnizohen me energji elektrike në tregun e liberalizuar do të kenë mundësi të krahasojnë ofertat jo vetëm sipas çmimit, por edhe sipas kostos vjetore, kushteve të kontratës dhe tarifave shtesë.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurat për miratimin e një rregulloreje të re për funksionimin e platformës ekzistuese të krahasimit të çmimeve, duke vendosur kërkesa të detajuara për publikimin dhe përditësimin e ofertave nga kompanitë furnizuese.
Projektrregullorja është publikuar për konsultim më 20 tetor, pas vendimit nr. 288, datë 8 tetor 2026, me të cilin Bordi i ERE-s vendosi fillimin e procedurës administrative për miratimin e saj.
Platforma e Krahasimit të Çmimeve (PCT) nuk është një shërbim i ri. Ajo është e aksesueshme që prej 15 marsit 2024, ndërsa ERE ka vendosur tashmë detyrimin e publikimit të ofertave për furnizuesit aktivë në tregun e lirë, për konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë të vegjël me konsum vjetor të pritshëm nën 100 mijë kilovatorë (kWh).
Rregullorja e propozuar përcakton një kuadër më të detajuar për mënyrën e funksionimit të platformës, e cila do të përfshijë ofertat e disponueshme për kategoritë e klientëve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Sipas dokumentit, ofertat do të renditen në mënyrë standarde nga çmimi më i ulët për njësi drejt më të lartit. Përdoruesit do të mund të filtrojnë alternativat sipas furnizuesit, kohëzgjatjes së kushteve ekonomike, mënyrës së pagesës, zbritjeve dhe llojit të çmimit.
Një element i rëndësishëm i rregullave të propozuara është përllogaritja e shpenzimit vjetor të energjisë elektrike. Për çdo ofertë, platforma do të vlerësojë koston mbi bazën e konsumit të deklaruar nga klienti ose të dhënave historike. Kur këto mungojnë, do të përdoren profile standarde të përcaktuara nga ERE.
Në përllogaritje do të përfshihen çmimi i furnizimit, tarifat e rrjetit, taksat, detyrimet e tjera të zbatueshme dhe zbritjet automatike. Shpenzimi i paraqitur do të jetë një vlerësim dhe jo një kosto e garantuar.
Platforma do të përfshijë oferta me çmime fikse, të ndryshueshme dhe dinamike. Në rastin e çmimeve dinamike, kostoja ndryshon në intervale të caktuara sipas çmimeve të tregut të energjisë.
Furnizuesit do të detyrohen t’i përcjellin ofertat për publikim përpara se t’i ofrojnë në treg. Ata do të jenë përgjegjës për saktësinë e informacionit dhe duhet të korrigjojnë ose përditësojnë të dhënat brenda 72 orëve nga konstatimi i ndryshimeve apo pasaktësive. Çdo ofertë do të shoqërohet me informacion mbi tarifat shtesë, kohëzgjatjen e kontratës, kushtet e zbritjeve dhe kostot e mundshme të përfundimit të saj.
Aktualisht në tregun e lirë janë disa mijëra konsumatorë. Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nisi në vitin 2018, me daljen në tregun e lirë të bizneseve të lidhura në tensionin 35 kV, për të vijuar gradualisht me ato në tensionin 20 dhe 10 kV.
Procesi përmbylli fazën e fundit më 1 janar 2026, me kalimin e rreth 2,300 bizneseve të lidhura në tensionin 6 kV, duke u dhënë mundësinë të zgjedhin furnizuesin dhe të blejnë energji me çmime të përcaktuara nga tregu.
Marrë nga Monitor