Këshilli Bashkiak i Sarandës i ka bërë një qokë të madhe kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, biznesmeni Oltion Çaçi dhe kreu i Këshillit, përmbaruesi Asaf Stroka, kanë këmbëngulur që Vila Qeveritare t’i kalojë formalisht FSHZH-së, pavarësisht se vendimi ishte marrë kohë më parë.
Këshilli miratoi sot që godina dhe sipërfaqja e stërmadhe e Vilës Qeveritare të shndërrohet në një restorant dhe hotel luksoz, duke i falur oligarkëve të zonës të gjithë territorin.
Por, si u bë kjo farsë?! Në shkurt të vitit 2025, VoxNews denoncoi se Tan Agolli i FSHZH-së po e kthente territorin e vilës qeveritare në Sarandë në një pronë private për “klientët” e tij. Madje, hapi edhe tenderin e majmë prej 4 milionë eurosh. Fituesi i procedurës duhet të jetë shpallur në muajin mars, pavarësisht se deri më tani s’është publikuar.
Përse nuk u mor vendimi para shpalljes së tenderit? Përse tani “pas pilafit”? Duket se, tashmë në mandatin e katërt drejtuesit e pushtetit qendror dhe lokal janë vetëshpallur pashallarë dhe mund të vendosin që pronat shtetërore të falen dhe t’i jepen privatit.
Por a i lexuar këshilltarët dhe kryetari përmbarues se çfarë kishte projekt vendimi? Besoj se jo, pasi kanë votuar symbyllur. Natyrisht kanë pasur informacione për tjeërsimin e godinës dhe të territorit, por “urdhri” duket se erdhi nga shumë lart. Aq lart sa, edhe këshilltarët e opozitës e votuan pro tjetërsimit.
Në shkurt u hap tenderi me objekt “investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit”. Bëhet fjalë për lotin 3, “poli i zhvillimit turistik në Sarandë – faza 1”.
“Do të ketë funksionalitet i objektit qeveritar. Restorant i integruar në terren. Hotel si rezidencë për artistët dhe vizitorët e zonës. Në nivelin 2 të projektit, fokusi është vendosur në zhvillimin e funksioneve të ndryshme kulturore, sociale, dhe akomoduese, të cilat krijojnë një ekosistem të integruar shërbimesh dhe aktivitetesh. Ky nivel është konceptuar për të qenë një qendër dinamike që mbështet krijimtarinë, kulturën dhe ndërveprimin social, duke kombinuar hapësira të brendshme dhe të jashtme të menduara me kujdes” thuhet në dokumente.
Sipas saj, vila qeveritare do të ruajë identitetin e saj historik, ndërsa transformohet për të përmbushur funksione bashkëkohore.
“Një restorant i vendosur në një mjedis të natyralizuar, i cili ofron përvoja kulinare të lidhura me traditën dhe produktet lokale. Kjo hapësirë do të jetë një atraksion i veçantë për vizitorët dhe një pikë takimi për artistët, studentët dhe komunitetin. Në këtë zonë do të ndërtohet një strukturë akomoduese me konceptin e apart-hotelit, e cila do të funksionojë si rezidencë për artistët, nomadët digjitalë, studentët dhe turistët. Hapësirat e saj do të jenë të disponueshme gjatë gjithë vitit dhe do të përfshijnë zona të veçanta për aktivitete dhe shërbime outdoor, duke mundësuar relaksim dhe frymëzim kreativ në një ambient unik”, shkruan Fondi.
Marrë nga VoxNews.al