Kostot mesatare për orë pune në Bashkimin Evropian vijojnë të rriten, duke thelluar diferencat mes vendeve anëtare dhe ekonomive të rajonit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, në vitin 2025 kostoja mesatare për orë pune arriti në 34.9 euro në BE dhe 38.2 euro në eurozonë, nga 33.5 dhe 36.8 euro respektivisht një vit më parë. Diferencat mes vendeve mbeten të theksuara, me nivelet më të ulëta në Bullgari me 12.0 euro për orë, Rumani me 13.6 euro dhe Hungari me 15.2 euro, ndërsa në krahun tjetër Luksemburgu kryeson me 56.8 euro për orë, i ndjekur nga Danimarka me 51.7 euro dhe Holanda me 47.9 euro.
Edhe pse Shqipëria nuk përfshihet në këtë statistikë, sipas përllogaritjeve të ekofin.al, mbi bazën e pagës mesatare në vend në fund të vitit 2025 prej rreth 84,000 lekë ose 875 Euro, diferenca me vendet e BE-së është e ndjeshme.
Duke marrë në konsideratë një mesatare prej 40 orësh pune në javë dhe rreth 22 ditë pune në muaj, paga për orë në Shqipëri rezulton rreth 5 euro. Ky nivel është disa herë më i ulët se mesatarja e BE-së prej 34.9 euro për orë, duke e vendosur Shqipërinë dukshëm poshtë edhe vendeve me kostot më të ulëta në Union.
Këto të dhëna reflektojnë hendekun e madh në produktivitet dhe nivelin e pagave mes Shqipërisë dhe ekonomive evropiane, ndërsa nënvizojnë sfidat për tregun e punës dhe standardin e jetesës në vend. Diferenca e thellë në kostot e punës mbetet një nga faktorët kryesorë që ndikon në konkurrueshmërinë ekonomike, migracionin e fuqisë punëtore dhe konvergjencën e Shqipërisë me vendet e Bashkimit Evropian.
Marrë nga Ekofin.al