Në total janë arrestuar 15 persona – 12 janë arrest me burg, ndërsa 3 janë vendosur në arrest shtëpie. Të gjithë janë të dyshuar si pjesëtarë të një strukture të lidhur me ’Ndrangheta-n kalabreze, e cila kishte ngritur një sistem të sofistikuar për transportin dhe shpërndarjen e drogës në Lombardi dhe Kalabri.
Gjatë hetimeve, autoritetet italiane kanë zbuluar lidhje të drejtpërdrejta mes klaneve mafioze kalabreze dhe grupeve kriminale shqiptare, të cilat luanin një rol qendror në furnizimin dhe shpërndarjen e drogës.
Sipas Prokurorisë së Milanos, grupet shqiptare kishin krijuar kanale të qëndrueshme bashkëpunimi me rrjetet e ’Ndrangheta-s dhe Camorra-s, duke garantuar marrjen e kokainës nga Amerika e Jugut dhe transportimin e saj drejt Italisë e vendeve të Europës Veriore.
Hetuesit theksojnë se përfshirja shqiptare ka qenë thelbësore në fazat operative të trafikut, veçanërisht në kontaktet me furnizuesit jashtë Europës dhe në menaxhimin e shpërndarjes në tregjet italiane. Në më pak se një vit, ky grupim– ku vepronin edhe elementë shqiptarë – kishte trafikuar sasi kokaine me vlerë mbi 18 milionë euro.
Rrjet mafioz shumëkombësh
Hetimet kanë zbuluar bashkëpunime të ngushta mes ’Ndrangheta-s dhe rrjeteve kriminale shqiptare, kampane, me degë në Europën Veriore dhe Amerikën e Jugut.
Gjithashtu, operacioni ka dokumentuar marrëdhënie të forta mes familjeve mafioze “Papalia-Carciuto”, “Marando-Trimboli” dhe “Barbaro ‘U Castanu”, të lidhura me klanin “Di Lauro” të Camorra-s së Napolit.
Çdo anëtar i grupit, përfshirë edhe shqiptarët në hetim, kishte rol të veçantë e të domosdoshëm, duke kontribuar me kontaktet ndërkombëtare dhe aftësitë logjistike për të siguruar hyrjen e drogës në Europë.
Hetime me ndihmën e Europol-it
Në kuadër të bashkëpunimit me Europol-in, janë siguruar dhe deshifruar komunikime të koduara nga pajisje të përdorura nga të dyshuarit për të planifikuar transportet dhe për të kryer pagesat përmes sistemit informal të transferimit të parave të njohur si “fei ch’ien”.
Aktualisht, po zhvillohen kontrollo në provincat e Milanos, Pavias dhe Reggio Calabrias, me pjesëmarrjen e njësive antidrogë dhe “cashdog” për zbulimin e drogës dhe parave të padeklaruara.
Deklarata e autoriteteve
Prokuroria e Milanos ka theksuar se operacioni tregon bashkëpunimin e ngushtë midis autoriteteve italiane dhe agjencive ndërkombëtare, si dhe rrezikun e rritjes së rolit të grupeve shqiptare në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Marrë nga Syri.net