Pacientët me Leucemi Limfoide Kronike (LLC) që prej shtatorit 2023 janë përballur me mungesën e trajtimit me ilaçin “Ibrutinib 140 mg”.
Auditimi i përputhshmërisë i Kontrollit të Lartë të Shtetit “Mbi disponibilitetin në treg dhe trajtimin në linjën e tretë të mjekimit të pacientëve të diagnostikuar me Leucemi Limfoide Kronike (LLC), me barin “Ibrutinib 140 mg” nxjerr në pah problemet e hasura nga pacientët për shkak të kësaj mungese.
Në raportin vjetor 2024, KLSH shprehet se e ka konsideruar këtë auditim të rëndësishëm për shkak të ndikimit të tij në jetën dhe cilësinë e jetës së pacientëve, duke u bazuar në Kartën Shqiptare të të Drejtave të Pacientëve, që garanton të drejtën për mjekim të barabartë dhe pa kufizime, pavarësisht aftësisë për të paguar.
Auditimi ka zbuluar se përdorimi i Ibrutinib është ndërprerë pas një kufizimi të vendosur në protokollin e vitit 2018, i cili parashikon që ilaçi të përdoret për një periudhë të kufizuar prej 18 deri në 24 muajsh.
Ky kufizim është në kundërshtim me praktikat e mëparshme, ku Ibrutinib është përdorur pa afat, deri në përparimin e sëmundjes ose derisa pacienti nuk mund ta toleronte më. Ky ndryshim është pasuar nga një shkresë e datës 12.09.2023, dërguar nga Shërbimi i Hematologjisë, e cila ka konfirmuar se përdorimi i Ibrutinib tani është i kufizuar në një periudhë 18-24 muajsh.
Në këtë shkresë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka theksuar se ky kufizim është vendosur pas shqyrtimit të kërkesës së Shërbimit të Hematologjisë për heqjen e kufizimit, duke mbajtur në konsideratë udhëzimet e mëparshme dhe praktikat klinike.
Megjithatë, shprehet KLSH, ky kufizim kohor për përdorimin e ilaçit nuk është mbështetur nga ndonjë dokument tjetër dhe ka krijuar pasiguri dhe probleme për pacientët që kishin nevojë për trajtim të vazhdueshëm. Gjithashtu, auditimi ka evidentuar mungesën e një organizimi të qartë të strukturave përgjegjëse për miratimin dhe monitorimin e protokolleve të përdorimit të barnave.
Në maj të këtij do të futet në fuqi ligji i ri për inspektimet, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) do të jetë përgjegjëse për analizën dhe kontrollin e barnave, për dhënien e autorizimit për tregtim, monitorimin e aktiviteteve për vendosjen e barnave në treg, farmakovigjilencën, por nuk do të kryejë më inspektimin në fushën farmaceutike, pasi ai do të realizohet nga struktura përgjegjëse për inspektimin në shëndetësi.
Marrë nga Ekofin.al