Shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila në fillim të majit gardhoi dhunshëm rreth 300 hektarë pyll-pishe, brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, është kthyer në vendngjarje. Një grup ekspertësh mjedisi, shumica të huaj, vizituan pak ditë më parë, për disa orë, vijën ranore pranë dajlanit, në kanalin lidhës të Detit Adriatik me Lagunën e Nartës dhe pohuan se puna për vlerësimin e ndikimin të resortit në mjedis do të fillojë së shpejti. Një nënkontraktor i shoqërisë më konfirmoi se prania i përkiste grupit të përfshirë për kryerjen e studimit mjedisor, i cili mund të fillojë, zyrtarisht, brenda shtatorit.
Kjo pritej, por jo në këtë mënyrë. Këtë radhë kanë zgjedhur të veprojnë në heshtje dhe të fshehin sa më shumë që të munden. Kjo duhet të na shqetësojë. Dukshëm, nuk ka buldozierë dhe makineri të zhurmshme, as bodigardë-gorrilla të programuar për të tërhequr zvarrë. Por përtej të konstatuarit vetëm të mungesës së transparencës, duhet kuptuar edhe diçka tjetër: cila është dobia e saj?
Deri tani, përgjatë javëve të zhurmshme të protestës, por edhe pak më përpara, shoqëria nuk e ka humbur fokusin. Ajo ka vijuar me kryerjen e studimeve që lidhen drejtpërdrejt me realizimin e projektit – masterplanin e resortit turistik, të ashtuquajtur “Sazan Coast”. Studimet u janë besuar shoqërive të huaja, në bashkëpunim edhe me nënkontraktorë vendas. Më të spikaturat nga studimet janë: a) vlerësimet mbi bilancin dhe cilësinë e ujërave nëntokësore; b) vlerësimi mbi ndikimin e resortit në gjendjen e pishave dhe bimesisë tjetër; c) studimi mbi shkëmbimin e ujërave mes detit dhe lagunës në vendin ku parashikohet të ndërtohet. Natyrisht, nuk kanë munguar gjatë kësaj periudhe edhe kontaktet e rregullta (por të mbyllura) me zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, përmes të cilave përfaqësuesit e aksionerëve janë siguruar se po ndjekin rrugën e duhur për pajisjen me leje mjedisore, çka proceduralisht çel, mundësinë për marrjen e lejes së ndërtimit.
Dikush nuk mund ta humbasë dramacitetin e ironisë që provokon sjellja e autoriteteve, ndërkohë që në Bulevard vijon i ndezur zemërimi.
E gjitha e ka një shpjegim dhe nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Veprimet e mbyllura të zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit dhe të përfaqësuesve të shoqërisë, të kombinuara me deklarimet e bujshme në favor të ndërtimit të resortit nga ana e kryeministrit, duke ekspozuar kësisoj, një anshmëri të pamoralshme, synojnë të paraqesin, jo thjesht një projekt të pakundërshtueshëm, por edhe një garanci më shumë në debatin e pashmangshëm publik drej miratimit të tij: përballjen me një oponencë të dobët.
Duke fshehur veprimet, duke bllokuar rrugët ligjore të përcjelljes së informacionit, ata synojnë të kapin të papërgatitura grupet e interesit, ekspertët, shkencëtarët, komunitetin e gjerë. Duke i bërë llogaritë sipas interesave të ngushta, me ndihmën e autoriteteve, ata zgjerojnë kohën e studimeve të tyre, ndërkohë që ia zvogëlojnë atë palëve të tjera, kur ky i fundit t’i përcillet publikut gjatë fazës së dëgjesave.
Ndaj dhe mungesa e transparencës nuk mjafton të shihet vetëm si një mekanizëm i përgjithshëm në funksion të ushtrimit të demokracisë, por edhe si një operacion manipulimi, përmes të cilit shoqëria po mundëson realizimin e projektit.
Kundërshtarët e projektit, grupet konservuese të natyrës, veçanërisht shkencëtarët, duhet ta kenë të qartë se do përballen më një bandë. Mënyra si komunikojnë, si veprojnë, si fshihen, i ka shndërruar agjencitë shtetërore në një bandë të organizuar, armiku i së cilës është populli. Me një kokëfortësi të paimagjinueshme për rrethanat në të cilën ndodhet vendi, Rama dhe njerëzit e tij po mbyllen edhe më shumë; një kulturë antidemokratike që po përhapet në heshtje si metastazë.
Së shpejti do të fillojnë dëgjesat. Nuk duhet harruar se lejet për resortin vijojnë të pazbardhura në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe deri tani agjencia ka refuzuar çdo kërkesë për zbardhjen e tyre. Por beteja vazhdon dhe nuk është e parëndësishme. Përmes zbardhjes publiku mund të kuptojë qartësisht çfarë projekti do të prezantohet; sa e rëndë do të jetë shkalla e ndërhyrjes. Por zbardhja nuk mund të ndriçojë gjithçka, mbi të gjitha, kërkohet një proces i ndershëm, i paanshëm dhe në interes të publikut. Qeveria nuk mund të spekulojë për të kundërtën. Përndryshe njerëzit zbrazen nga besimi dhe fillojnë të mbushin rrugët…
Marrë nga Citizens.al